Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ndau sot pjesë nga fjala e tij në Kongresin e PS.
Rama u shpreh se, “mandati ynë i katërt do jetë mandati i pathyeshmërisë së sigurtë të progresit të pandalshëm, mandati i mbledhjes së shumë fryteve të tjera të punës së gjatë e të vështirë të këtyre viteve në drejtimin e Shqipërisë”.
“Mandati i një pune të jashtëzakonshme për nga volumi dhe nga sfidat për ta kapërcyer kthesën e madhe historike që nisëm një dekadë më parë dhe për ta mbyllur me sukses procesin e negociatave të anëtarësimit në BE”, tha Rama.
“Kuvendit të ri nuk do i mjaftojë vetëm përvoja e domosdoshme e deputetëve me vjetërsi, e deputetëve me ndërgjegje, e deputetëve me përgjegjshmëri në përfaqësimin e PS, por do t’i duhen dijet, do t’i duhen aftësitë do t’i duhet dëshira e të rinjve që do afrojmë me doemos, me doemos për sprovat e mëdha të mandatit të katërt dhe me të rinj e me të vjetër nuk kam parasysh moshën në regjistrin e gjendjes civile, por njerëz të rinj., figura të reja publike, me eksperienca të ndryshme pune, me energji, me ambicie, me vullnet për Shqipërinë pavarësisht moshës, pavarësisht gjinisë, pavarësisht vendndodhjes, pavarësisht mbiemrit, pavarësisht pasurisë”, theksoi Rama.