Kryeministri Edi Rama u ka bërë thirrje emigrantëve shqiptarë që të kthehen për të punuar në vendin e tyre, teksa u shpreh se në industrinë e turizmit në Shqipëri paguhet njësoj si në shtet përreth.
Kreu i qeverisë theksoi se vende pune ka, por problemi është aftësia. Ai shtoi se shqiptarët të cilët punojnë në Greqi në sektorin e turizmit, po të kthehen në Shqipëri në fund të muajit do të kenë bilanc të ardhurash më pozitiv.
“Në industrinë e turizmit në Shqipëri, jo vetëm që ka vende pune, por me gatishmërinë për të paguar njësoj si në vendet rreth e rrotull.
Problemi është aftësia, përtej paragjykimeve dhe keqinformimit, që pengon njerëz që nga vendi ynë kanë shkuar në Greqi që punojnë në sektorin e turizmit atje dhe po të kthehen dhe të angazhohen këtu, padiskutim në fund të muajit do të kenë bilanc të ardhurash më pozitiv.
Do të jenë pranë shtëpisë së tyre, do të kenë shpenzime më modeste transporti, taksa më të ulëta e me radhë. Kjo vlen për të gjitha fushat”, tha kryeministri.
Rama foli dhe për arsimin profesional.
Rama u shpreh se hapi i madh për t’u arritur është “dualizmi i arsimit profesional duke spostuar në fushën ku zhvillohet veprimtaria ekonomia, në mjedisin sipërmarrës, pjesën kryesore të ditës së shkollës.”.
Por, kryeministri “këshilloi” sipërmarrësit duke thënë se nxënësit nuk duhet të trajtohen si shërbëtorë, por me maksimumin e kujdesit, duke theksuar se është i ndaluar rreptësisht abuzimin me ta.
“Arsimi profesional ka bërë hapa të rëndësishme, por është në nevojë për të bërë hap të madh dhe baza është vendosur.
Ky hap është dualizmi i arsimit profesional duke spostuar në fushën ku zhvillohet veprimtaria ekonomia, në mjedisin sipërmarrës, pjesën kryesore të ditës së shkollës.
Kjo është pika kyçe e gjithë këtij procesi dhe shqetësimit të gjithë ekspertëve të kësaj fushe që na kanë ndihmuar për të ndërtuar këtë skemë të re.
Nuk bëhet fjalë për ti sjellë sipërmarrjeve disa vajza e djem në moshë të re që të përdoren si shërbëtorë në mjediset e punës, por nxënës që gjatë kohës që qëndrojnë aty duhet të bëjnë shkollën dhe të trajtohen me maksimumin e kujdesit, duke ndaluar rreptësisht abuzimin me ta. Ti marrësh nga procesi arsimor dhe ti marrësh në punë. Ata nuk janë aty për të bërë punë që vijnë nga nevoja e sipërmarrjes përkatëse dhe mungesa e burimeve njerëzore.
Kush vjen në një hotel për të marrë arsimimin e nevojshëm profesional për recepsionin, nuk do të thotë të vendoset atje sepse mugon dikush. Ky është një iunvestim, që sigurisht kthehet, por nuk funksonin si investim që kthehet në të njëjtën kohë që zhvillohet investimi”, tha Rama.