Reforma zgjedhore ka dështuar dhe po ashtu mund të dështojë edhe tentative e socialistëve për të miratuar vetëm ndryshimet që burojnë prej vendimeve të gjykatës Kushtetuese.
Këtë e thotë Damian Gjiknuri, i cili është i ftuar në emisionin “Ekspres” në RTSH 1.
Eksperti i Partisë Socialiste e konsideron reformën zgjedhore të dështuar dhe për këtë bën fajtore pretendimet e opozitës.
Pyetjes së drejtuesit të emisionit Nolian Lole se a dështoi reforma zgjedhore, Gjiknuri iu përgjigj, “nuk kemi dhe pse t’i fshihemi dhe fjalës dështim”.
“Reforma zgjedhore është produkt që përgjithësisht kërkon konsensus. Në këtë reformë ishin shumë çështje për tu trajtuar. Fatkeqësisht u tentuar me Komisionin e Reformës Zgjedhore, me opozitat e ndryshme, por dhe me përpjekjen e fundit që bëmë me Grupin e Dialogut për të gjetur konsensus të gjerë për shumë nga çështje që kanë mbetur pezull për sa i përket rekomandimeve të ODIHR”.
Mazhoranca, theksoi ai, por dhe Kuvendi ka një detyrim për të adresuar të paktën 2 apo 3 çështje që burojnë nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
“Pra nuk është çështje dëshire apo diskrecioni politik po është detyrim nga GJK. Janë 3 vendimet e saj por dy janë më kryesore që lidhet me krijimin e mundësive për votën e diasporës dhe i dyti që merret me çështjen e herësit zgjedhor.”
“Kjo marrëveshje nuk ka ndonjë detyrim juridik, përkundrazi u superua nga ndryshimet kushtetuese dhe ajo marrëveshje u respektua në pikat që u ra dakord për sa i përket administrimi zgjedhor”.
Ndaj, vazhdon Gjiknuri, kthimi tek kjo pikë që nuk ka asnjë vlerë përveç një date kalendarike por ajo që kuptoj është që opozita ngriti këtë lloj barriere për mos të gjetur konsensus.
Sipas tij, arsyet janë për të pasur një alibi në humbjen e pritshme të opozitës që nesër do të thonë që u futëm në zgjedhje në kushte të pabarabarta, u futëm në zgjedhje pa reformë zgjedhore.
“Në këto kushtet ku mungoi vullneti politik nga opozita” tha Gjiknuri, “nuk kam parë një dëshirë nga PD-ja për të gjetur një konsensus pasi mënyra se si e ndërtoi reformën”.
Ndaj e kondicionoj reformën vetëm me një kusht kryesor që ishte rikthimi në marrëveshjen e famshme të ‘5 qershorit’ 2020.
“Në themel të reformës zgjedhore nuk kanë qenë as marrëveshja e 5 qershorit dhe as ndryshimet e sistemit sepse ato janë çështje zgjedhje të politikë sepse këto janë çështje dëshirash dhe pa dakordësi nuk mund të ketë imponim nga opozita.
I ftuar në emisionin Ekspres në RTSH ai tha se pikërisht kushtëzimi i reformës me çështje të ezauruara prej kohësh sjell situatën në të cilën ndodhet tani parlamenti.
Duke vazhduar më tej Gjiknuri tha se për sa i takon rekomandimeve të ODIHR nuk ka pasur interes nga opozita që të diskutonte.
“Ndaj ne kemi pasur parasysh që në bisedimet për reformën zgjedhor nuk kemi pasur parasysh dëshirat apo qëllimet politike por për të adresuar detyrimet që burojnë nga Gjykata Kushtetuese”.
Gjiknuri gjithsesi nuk sheh probleme me vlefshmërinë e zgjedhjeve edhe në rast se nuk plotësohen detyrimet që rrjedhin nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese për votën e emigrantëve dhe herësin, për të cilat thotë se shumica e vetme nuk i ka 84 votat në kuvend.
“E kam dëgjuar dhe këtë gjykim që në rast se nuk voton diaspora zgjedhjet bëhen të cenueshme por së pari nëse do të ishin të tilla dhe Gjykata Kushtetuese do i shpallte të pavlefshme zgjedhjet. Së dyti, nuk është detyrim vota e diasporës, nga pikëpamja e standardeve ndërkombëtare. Është zgjedhje sepse ka shtete që nuk e kanë.
Eksperti kryesor i socialistëve për zgjedhjet thekson se kërkesa e opozitës për koalicionet parazgjedhore nuk aplikohet askund në asnjë vend të hapësirës së OSBE sepse deformon vullnetin e zgjedhësit ndaj dhe nuk pranohet të rikthehet nga ana e shumicës parlamentare.