Një banor në fshatin Terihat në Dropull, i cili u rrezikua sot nga flakët, tregon për Top Channel momentet e frikshme, kur zjarri iu afrua banesave.
Ai thotë se të gjithë banorët u rrezikuan, pasi flakët erdhën me shpejtësi nga era e fortë, por fatmirësisht u shpëtun nga forcat zjarrfikëse.
“Ishim këtu në momentin e zjarrit. Flakët erdhën menjëherë se i ndihmoi era. Rrezikuam të gjithë, por lavdi zotët erdhën edhe çunat e zjarrfikëses dhe i falënderoj për ndihmën që dhanë”, tregon ai.
Banori bëri thirrje të gjithëve që të mos vendosin flakën qëllimisht, pasi dëmet janë serioze, por mund të shkojnë deri në tragjike.
“I falenderojmë nga zemra të gjithë dhe bëj thirrje ju lutem mos vendosni zjarr. Është e pamundur t’ia dalim vetë. Zjarri ishte shumë agresiv”, u shpreh ai.
Zjarrfikësit dhe banorët janë përpjekur për rreth 3 orë të izolojnë flakët. Kisha e Shën e Premtes buzë rrugës nacionale u kërcënua seriozisht nga zjarri, ndërsa policia edhe në Terihat u angazhua në evakuimin e të moshuarve të vetmuar dhe të pamundur.
Zjarri kaloi në anën tjetër të rrugës nacionale duke djegur një hapësirë toke me kultura bujqësore, por aktualisht situata është nën kontroll sërish. Reshtje të lehta shiu sapo kanë nisur në zonën e Dropullit që nëse do të vijojnë do t’i shërbenin shumë situatës, ku një vatër e re mund të riaktivizohet nga momenti në moment.