05 Korrik, Tiranë- Një tjetër kategori e punonjësve në institucionet arsimore që do të përfitojnë nga rritja e pagave janë edhe oficerët e sigurisë në shkolla.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, në një takim me oficerët e sigurisë në shkollat e Tiranës, foli për rritjen e pagave dhe nënvizoi forcimin e ndikimit të rolit të tyre në perimetrin e shkollës, për parandalimin e fenomeneve dhe ngjarjeve që cënojnë sigurinë e fëmijëve.
“Për oficerët e sigurisë në shkolla do të kemi një rritje page mesatare rreth 13 mijë lekë të reja për këtë pozicion pune dhe në tërësi rritja e pagave do të shkojë në 80 mijë lekë të reja, si pagë mesatare për punonjësit e sigurisë në shkolla”, tha Ministrja Manastirliu.
Duke vlerësuar punën e oficerëve të sigurisë në shkolla, Ministrja Manastirliu foli për rëndësinë e forcimit të rolit të tyre: “Do të vijojmë që të rrisim numrin e oficerëve të sigurisë në shkolla, bazuar edhe në kriteret e reja dhe gjithashtu do të kemi për objektiv dhe bashkëpunimin akoma më të ngushtë me të gjithë strukturat, të cilat janë të vendosura qoftë në shkollë, edhe jashtë saj, për të garantuar një shërbim sa më të mirë të sigurisë në shkolla, me fokus tek parandalimi. Duam që të garantojmë mirëqënie dhe siguri për fëmijët tanë”, tha Manastirliu.
Janë 30 mijë punonjës, që nga cikli parashkollor, të cikli fillor, ai 9-vjeçar, i mesëm, mësues të arsimit profesional, si dhe staf jo mësimor që përfitojnë nga skema e re e rritjes së pagave. Paga e një oficeri sigurie në shkollë rritet mesatarisht me 13,800 lekë, duke e çuar pagën e tyre mesatarisht nga 66,200 lekë në 80,000 lekë.