Një konflikt mes familjarëve ka agravuar mbrëmë, por fatmirësisht pa jetë të humbura. Në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, takimi për “sqarim” mes tre kushërinjëve ka degraduar në përdorimin e armëve të zjarrit në afërsi të një fabrike çimentoje në Mamurras. E gjitha ka ndodhur pas një konflikti për motive pronësie.
Fatos Sela së bashku me vëllezërit e tij ishin duke kryer punime për rrethimin e një sipërfaqe toke, e cila pretendohet se është pronë edhe e kushërinjëve të tyre. Pasi është lajmëruar për punimet që po kryeheshin në tokë, në vendin e ngjarjes, të afërmëve të tij u është bashkuar edhe efektivi i Policisë Rrugore, Sahit Ahmetaj (Sela). Ky i fundit, fillimisht ka debatuar me kushërinjtë e tij.
Më pas, debati mes tyre ka agravuar dhe efektivi ka nxjerrë armën e shërbimit dhe ka qëlluar duke plagosur dy të afërmit e tij, Fatos dhe Adrian Selën. Por duket se efektivi nuk ka qenë i vetmi që kishte armë zjarri me vete, pasi edhe të afërmit e tij e kanë qëlluar, po ashtu duke e plagosur punonjësin e Policisë.
Të tre janë dërguar në spital për të marrë kujdesin mjekësor dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve, megjithatë asnjë prej tyre nuk raportohet se është në rrezik për jetën. Aktualisht, grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, e po ashtu, sot pritet që të merret edhe dëshmia e të përfshirëve në ngjarje.