Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali mbajti fjalën në Kongresin e PS.
Spiropali: Jemi e vetmja alternativë që e dimë se çfarë duhet, miq e kundërshtarë indiferentë ne të tjerë kam pritshmëri se çfarë do të ndodhë sot, vendimet ndikojnë në jetën e çdo individi dhje jetën e vendit. Dëshmon jo vetëm rëndësinë e PS por edhe peshën e jashtëzakonshme të përgjegjësisë që pos ka në veprimtarinë e saj.
Shumë horoskopë kanë hamendësuar se çfarë do të ndodhë sot, se kush ikën dhe kush vjen, ka shumë dilema nga publiku nëse do të notojmë në të njëjtat ujëra apo do të ndryshojmë me guxim dhe kurajë. Do të mbetemi robër të vetëkënaqësisë si zgjedhje e vetme apo do të ofrojmë zgjidhje të reja dre3jt stacionit të afërt të zgjedhjeve të përgjithshme.
Fjala e plotë:
Të dashur motra dhe vëllezër, delegatë të Kongresit të Partisë Socialiste të qarkut Tiranë, Shkodër, Korcë, Vlorë, Kukës, Berat, Lezhë, Fier, Dibër, Gjirokastër, Elbasan dhe Durrës,
Shumë sy janë mbërthyer sot në këtë sallë. Shumë mendje të shkathëta e shumë zemra të bardha po rrahin me të njëjtin ritëm pritshmërie, shprese dhe besimi se ky kongres yni i zakontë, do të jetë sërish një pikë vlimi e shpërthimi energjish të reja, vizioni më të qartë, do të jetë moment rivlerësimi, si një stacion i ri politik drejt të njëjtit projekt të pandryshueshëm shërbese që ne i blatojmë qytetarit shqiptar, qytetarit evropian të Shqipërisë 2030.
Ky kongres është një çast solemn reflektimi për të hedhur vështrimin pas, për të parë se ku kemi qenë, për të vlerësuar se çfarë kemi bërë, dhe për të vendosur se çfarë do të bëjmë edhe më mirë nesër, të bekuar nga besimi i publikut dhe të detyruar prej tij të vazhdojmë të jemi ende e vetmja alternativë që dimë çfarë duhet dhe që duhet të bëjmë edhe më shumë sesa dimë deri më tani.
Miq e kundershtarë, indiferentë e të tjerë kanë pritshmëri të jashtëzakonshme për atë që do të ndodhë sot. Të bindur se vendimet që do të marrim, ndikojnë dhe reflektojnë në jetën e çdo individi dhe në të gjithë jetën e vendit. Kjo dëshmon jo vetëm rëndësinë e PS-së si forcë e vetme qeverisëse, por edhe peshën e jashtëzakonshme të përgjegjësisë që PS ka në veprimtarinë e saj dhe aftësinë e saj të jashtëzakonshme ripërtëritëse, të thithjes së frymëzimeve të reja drejt vijimësisë së pushtetit jo si qëllim në vetvete, por si mjetin e vetëm për të realizuar qëllimet tona strategjike dhe patriotike për Shqipërinë e vitit 2030.
Shumë horoskopë kanë hamendësuar për cfarë do të ndodhë sot; kush ikën apo kush vjen! Ka shumë dilema nga publiku nëse do të notojmë në të njejtat ujëra apo do të ndryshojmë me guxim e kurajo, do të mbetemi robër të vetëkënaqësisë si zgjedhje e vetme apo do të afrojmë zgjidhje te reja drejt stacionit të afërt të zgjedhjeve të përgjithshme. Unë besoj se është edhe më shumë se kaq! E thënë thjesht, jam e bindur se ky ushtrim i sotëm politik, është momenti i ripërtëritjes së një force që duke mbetur e njëjta në thelb, rishpik vetveten atëherë kur koha dhe sfidat e kohës kërkojnë rilindjen e saj.
Sepse ne jemi të qartë: si është PS sot, do të jetë edhe qeverisja e vendit nesër!
Si asnjë forcë tjetër politike në vend, si askurrë herë tjetër më parë, pa asnjë shembull të ngjashëm qoftë dhe larg e larg, duke qenë tre mandate rresht në qeverisje, PS ka qenë opozita më serioze dhe më e ashpër e vetëvetes, në një proces të pandërprerë ripërtëritjeje, modernizimi, ndryshimi të vazhdueshëm dhe përshtatjeje me sfidat gjithmonë e më të komplikuara të kohës. Si asnjë forcë tjetër politike në historinë e pluralizmit, ne socialistët kemi krijuar pakënaqësinë ndaj vetes si një normë politike sepse gara jonë nuk është me ata që kemi përballë, por me pritshmëritë e publikut dhe me nevojën absolute për shumë më shumë ritëm, frymë, energji, ndershmëri në raport me qytetarin.
Fitimtari si rregull nuk gjykohet! Triumfi ynë i radhës në zgjedhjet e ardhshme duket se nuk jep arsye që ekipi ynë të gjykohet, por pikërisht për këtë arsye, ne duhet të bëjmë ekzaktësisht të kundërtën për të dalluar, identifikuar dhe ndërhyrë aty ku sëmundjet e pashmangshme të ardhura nga qeverisja e gjatë, fillojnë e shfaqin simptomat e para.
Ndaj ky kongres, kongresi i një partie që sa është forcë e vetme qeverisëse, po aq është edhe opozitë e vetvetes, është një mundësi e artë për të gjykuar vetveten.
Duke qenë e ndërgjegjshme për trajektoren e pabesueshme të progresit të vendit me kryeministër Edi Ramën, duke shenjuar një për një çdo sfidë të luftuar e të fituar, duke dalluar diferencën mes të djeshmes dhe të sotmes, projektimi i të ardhmes kushtëzon vështrimin kritik mbi veten. Eshtë e natyrshme që koha e gjatë në qeverisje dhe gara vetëm me veten, krijon premisa për arrogancë dhe siguri të tepruar në përditshmërinë e qeverisjes. Eshtë shumë e lehtë të vendosim përpara se të bindim publikun se vendimi ynë është i duhuri. Ka ndodhur dhe kështu, duke krijuar premisat për një shkëputje dhe distancë me qytetarin të të gjitha niveleve të qeverisjes dhe administratës.
Vetëkënaqësia dhe autobindja se cfarë do që të bëjme opozita nuk vjen dot në pushtet dhe se cfarëdo që të bëjë secili prej nesh, është kryeministri qe zgjidh cdo hall e afron cdo zgjidhje, është nje gënjeshtër e madhe që e përseritur ditë mbas dite, ka marrë statusin e të vërtetes imponuese për ne.
Me shumë se lidhja me realitetin, me shumë se lidhja me militantin, votuesin apo qytetarin, ne të gjithë duket sikur merremi më shumë me grupe gjithnjë e më të vogla afër nesh, klane do thoshte dikush i partisë së vjetër, por sigurisht fjala nuk shkon deri aty, më thjeshtë drejtorë e shefa e drejtues e kryetarë, secili në ngastrat e veta politike në tërritor a në zyrë, duke harruar që në jemi një ekip që nuk lufton për bajrak, a largë qoftë për të demtuar tjetrin, por duke kuptuar se në cdo vështirësi jemi të bashkëdëmtuar e në cdo fitore jemi bashkë të nderuar.
Këto janë disa të vërteta qe ne i përmendim me njëri-tjetrin, por nuk i debatojmë hapur e publikisht. Bindja se sido që të vijë puna, është Edi Rama që ka ilaçin e zgjidhjes së këtyre problemeve, është e pamjaftueshme sepse një problem i paadresuar sot është padyshim një hall më i vështirë për t’u zgjidhur nesër.
Mungesa e energjisë, zgjidhjet e ngadalta e të chala, status quo-ja që duket e pandryshueshme, madje edhe vetë kuvendi ku zien debat më i vërtetë në tryezën e kafes, sesa në sallën e seancave plenare, jane disa nga ato të vërteta të thjeshta qe i dimë të gjithë, por për të cilat heshtim pothuaj të gjithë! Sërish duke gjykuar: e di kryeministri, e di Edi Rama se çfarë do të bëjmë!
Shqipëria ka ndryshuar në mënyrë marramendëse dhe tashmë, parimi i artë kushtetues i kontrollit dhe balancës së pushteteve ka nisur të funksionojë e të japë shenja të forta. Ne e kemi rikthyer në jetë pushtetin e Drejtësisë.
Ka një listë jo të vogël me miq, kolegë dhe ish-kolegë që fatkeqësisht kanë një bast personal me drejtësinë. Eshtë shumë e rëndë nga pikpamja njerëzore por është e pashmangshme që beteja e tyre të jetë individuale.
Jam shumë e ndërgjegjshme që ka shumë më shumë perceptim sesa të vërtetë, në idenë e shkallës së depërtimit të korrupsionit në nivele të ndryshme të qeverisjes; di që nuk ka asnjë të vërtetë në pohimin cinik që thotë se e gjithë klasa politike është njëlloj dhe njëlloj vulnerabël ndaj grishjeve materialiste dhe futjes së dorën në fondet publike.
Këtë gje e ndan drejtësia dhe ne thjesht duhet të presim. Kush ka gabuar me dashje duhet të paguajë dhe kush vërteton përpara drejtësisë të kundërtën, e ka të hapur derën e mbyllur përkohësisht. Askush nuk mund të lincohet, denigrohet apo t’i dhunohen të drejtat në emër të gjyqeve popullore. Ndaj prezumimi i pafajsisë është i shenjtë. Ndaj besimi ynë nuk është te ndëshkimi me cdo kusht dhe me cdo cmim, por të drejtësia deri në fund.
Duke thënë këtë mendoj se ne duhet të kuptojmë se zgjidhjet juridike janë të pamjaftueshme, nëse ato nuk parashoqërohen nga zgjidhje me mjete politike. Mirëqeverisje, antikorrupsion, sundimi i ligjit janë prioritete kombëtare jo vetëm emërtesa të një komisoni të posaçem, tek i cili kam besim të plotë se do jetë një risi dhe sukses publik.
Ne duhet të levizim shumë fort dhe shumë shpejt drejt një tjetër lloj lufte e një tjetër lloj rreziku. Luftë me bindjen cinike se duke qenë zgjidhje e vetme, nuk ka pse të jemi zgjidhje edhe shumë më e mirë!
Hapja e PS drejt të rinjve, profesionistëve, talenteve, diasporës sonë fituese,
ndryshimi dhe gara e hapur brenda partisë, meritokracia dhe karriera e kushtëzuar nga rezultati janë vaksinat politike që na imunizojnë ndaj këtyre shfaqjeve.
Edhe pse duket si paradoks, PS është njëkohësisht dhe sëmundja që duhet kuruar, edhe ilaci që kuron, edhe dilema e shtruar për zgjidhje, edhe përgjigja e pikpyetjeve tona; ajo është edhe një problem për t’u zgjidhur dhe zgjidhja më e mirë e problemeve të shumëfishta të shoqërisë shqiptare. Ndaj ne jemi Partia Socialiste e Shqipërisë, Partia udhëheqëse e këtij vendi.
Unë besoj se PS duhet të ribëjë veten! Duke kuptuar se shoqëria shqiptare dhe humori i saj vazhdon të pulsojë me atë cka prodhon politika. Sepse politika kushtëzon ende në mënyrë të fortë fatin e individit, ndersa individi po bëhet gjithmonë e më indiferent ndaj politikës. Po e quan të huaj, e paragjykon dhe e njetrajtëzon, e fajëson në bllok dhe e mohon!
Dhe ky nuk është faji i qytetarit, por i vetë politikës që shpesh ka prodhuar zhgënjim në vend të shpresës, probleme në vend të zgjidhjes së tyre.
Të dashur motra dhe vëllezër,
Për pak muaj ne shkojmë në zgjedhje. Si një organizatë politike që reflekton nivelin e shoqërisë shqiptare në përgjithësi, PS është i vetmi propozim konkret, realist, i mencur dhe patriotik për Shqipërinë 2030.
PS ka ndryshuar vetveten dhe Shqipërinë. Ka emancipuar shoqërinë dhe është në rrugën e pambarimtë të përshtatjes se saj me sfidat e kohës.
Jemi oferta e vetme per qeverisjen e vendit. Kundërshtarët tanë janë ende të paaftë të qeverisin veten në opozitë e jo më të tentojnë të afrohen për të qeverisur vendin. Për këtë shkak dhe për një kalendar domethenës suksesesh qe ka prodhuar qeverisja jonë, duket se kemi cdo arsye te jemi me kokën lart me cfare kemi bere dhe se kjo është garancia e vetme për cfare do të bëjmë.
Cdo kongres i partisë sonë është një stacion takimi. Eshtë një mundësi reflektimi, frymëmbajtjeje e debati. Eshtë gjithashtu nje cast për të kuptuar se Shqipëria nuk është si ka qenë! Për të shenjuar se Shqipëria nuk do të jetë nesër sic është sot! Sepse Shqipëria do të jetë më e fortë, më e respektuar, më e begatë, më e zhvilluar, më e ndritur!
Do të jetë një pjesë Evrope në këtë skaj Ballkani duke cuar më të mirën e kësaj pjese të Ballkanit në zemrën e Evropës.
Ne, Partia Socialiste e Shqipërisë jemi bashkaksionerë të këtij rrugëtimi të mundimshëm, shpesh plot zigzake, prapakthesa e spirale dëshpërimi, të përpjeta e të tatëpjeta, si në një proces ku hija më e fortë thjesht dëshmon dritën më të ndezur, por gjithmonë nën shenjën e një konstanteje drejt progresit, gjithmonë e më mbarë, sot më mirë se dje dhe neser me mirë se sot!
Unë besoj fort në ëndrrën tonë!
Duke projektuar Shqiperinë 2030, Shqipërinë evropiane ne mish e gjak, me mandatin tonë të katërt qeverisës dhe Edi Ramën për herë të katërt kryeministër, ne kuptojme qartësisht se PS ka nderin, por dhe pergjegjësinë të jetë e ndëshkuar të ndryshojë vetveten per të ndryshuar gjithë Shqipërinë; atdheu ynë i përhershëm dhe madje, edhe atdhe i përkohshëm i miliona turisteve që mbërrijnë këtu për tu ndjerë si në shtëpi, si në Europë në Europën tonë Shqiptare që ne duhet të bëjmë edhe më shumë se mundemi për t’ja trashëguar brezit të fëmijëve tanë dhe gjeneratave të së ardhmes.
Ju faleminderit!