Broja, Muçi, Hoxha, Mitaj, Medon Berisha, Asllani dhe Bajrami. Një gjeneratë e re futbollistësh që garanton të ardhmen e Kombëtares shqiptare, edhe pse ka edhe shumë lojtarë të tjerë me potencial që mund t’iu bashkohen emrave më sipër. Kushdo trajner që do të jetë, diçka e ka të sigurt: një brez lojtarësh të cilët premtojnë shumë dhe mund të japin garanci për të arritur gjëra të mëdha me ekipin kombëtar në ardhmen e afërt.
ARMANDO BROJA- Një “bishë” që duhet çliruar dhe është vetëm 22-vjeç. Ka shënuar 5 gola me kuqezinjtë deri tani dhe është sulmuesi potencial për të udhëhequr këtë repart dhe për shumë vite, gjithmonë nëse menaxhon mirë veten dhe menaxhohet mirë nga trajneri dhe drejtuesit.
Nëse ka një sulmues që mund të thyejë rekordin e Bogdanit me 18 gola, ai është Armando Broja. I nevojitet edhe një ekip stabël për të kapur formën dhe për të luajtur rregullisht, edhe pse mund të jetë një ekip jo aq i njohur sa Çelsi.
ERNEST MUÇI- Të gjithë do të donim ta shikonim më shumë Muçin me fanellën e Kombëtares. Silvinjo e ka preferuar vetëm disa minuta, si në Europian apo edhe më parë në kualifikuese. Ndërkohë, fantazisti i cili ka në rolin e tij Nedim Bajramin, ka provuar të luajë edhe në krah apo mbrapa sulmuesve.
Një trajner i guximshëm do ta aktivizonte më shumë Ernestin, për të cilin shpenzuan 10 milionë euro në Turqi. Në total 12 ndeshje me fanellën kuqezi, vetëm dy miqësore si titullar dhe ka shënuar 3 gola. Mbetet një element i rëndësishëm për të ardhmen.
MARIO MITAJ- Nëse flasim për krahun e majtë të mbrojtjes, Mario Mitaj po tregon se askush nuk duhet të merakoset për këtë pjesë. Paraqitje si një lojtar me shumë eksperiencë, i karakterizuar nga qetësia kur topi është në këmbët e tij, edhe pse në aspektin mbrojtës ka vend për tu përmirësuar, Mario, në moshën 20 vjeçare do t’i vlejë për shumë kohë Shqipërisë.
KRISTJAN ASLLANI- I njëjti brez me Muçin dhe Brojën, Kristjan Asllani është 22 vjeç dhe ka luajtur 23 ndeshje me Kombëtaren, madje ka shënuar edhe dy herë. Një nga mesfushorët më premtues që mund të ketë ekipi përfaqësues.
I sistemuar te kampionët e Interit dhe duke luftuar për më shumë minuta, diçka e cila është e vështirë, Asllani mbetet pika e referimit në lojën që kuqezinjtë kanë. Pasime dhe vertikalizime të sakta, një teknikë e nivelit të lartë, Shqipërisë kishte kohë që i mungonte një mesfushor si elbasanasi.
MEDON BERISHA- Debutoi në miqësoren me Lihtenshtejnin dhe po ashtu luajti 20 minuta me Spanjën. Kapiteni i Shpresave Medon Berisha është po ashtu një lojtar me potencial të jashtëzakonshëm i cili do të shtojë bindshëm konkurrencën në mesfushën e Kombëtares. Medoni luan me Leçen në Serinë A dhe është 20 vjeç.
HOXHA DHE BAJRAMI- Arbër Hoxha, me paraqitjet e fundit në Europian, tregoi se shumë shpejt do të kërkojë edhe vendin e titullarit për ndeshjet e Ligës së Kombeve. Kur u shprehëm se kemi një gjeneratë të re lojtarësh që garanton shumë të ardhmen, këtu mund të përfshijmë edhe 25-vjeçarin Hoxha i cili kaloi nga Kosova te Shqipëria.
Pa harruar te kjo pjesë edhe Nedim Bajramin, në të njëjtën moshë me Hoxhën dhe një nga lojtarët kryesorë të ekipit, ku me fantazinë e tij, golat nga distanca, i jep një tjetër bukuri ekipit kombëtar. Një tjetër lojtar që duhet përmendur është Marash Kumbulla, vetëm 24-vjeç. Por jo vetëm, pasi vëllezërit Shpendi apo të tjerë janë “mbrapa derës”.