Nga Mero Baze
Kuvendi i Shqipërisë ia kushtuar dje deri në mesnatë vëmendje debatit rreth skandalit me borxhet e këqija të mikrokredive dhe përgjegjësitë e institucioneve rregullator në këtë skandal, që ka prekur interesat e shumë qytetarëve të pambrojtur.
Skandali në të vërtetë ka të bëjë me një operacion mafioz nga një bandë përmbaruesish, që kanë ngritur një skemë grabitje për qytetarët e pambrojtur, në një shtet ku askush nuk është kujtuar për një kuadër rregullator që të ketë një vijë të kuqe për mbrojtjen e qytetarit dhe kur ai falimenton dhe ka pamundësi për të paguar.
Në thelb të problemit është praktika etike e mbledhje se borxhit, dhe pastaj boshllëqet ligjore që ata kanë përdorur për të masakruar qytetarët.
Në këtë histori janë përfshirë bankat, institucione financiare, rregullatorë, Parlamenti, gjykata, ministri, përmbaruesit, media, gjobaxhinj mediatikë etj.
Bankat dhe institucionet financiare kanë përgjegjësi për ata që u kanë dhënë kredi dhe pastaj për ata të cilëve ua shitën këto kredi të këqija.
Rregullatorët kanë përgjegjësi për lincesimin e tyre, dhe për nivelin në të cilin duhen lejuar interesat.
Parlamenti ka përgjegjësi për ligje klienteliste që mundësojnë akte të pabalancuara shtrënguese. Fjala vjen deri në çfarë mase mund t’i marrësh ti pasurinë dikujt, për shkak të një borxhi minimalist që është fryrë nga interesat spekulative të krijuara nga skema e zhvatjes. A mund t’ia marrësh shtëpinë e vetme, a mund t’i marrësh gjithë të ardhurat, a mund ta lësh atë në mjerim të plotë, apo duhet të ketë një vijë të kuqe përtej të cilës nuk duhet të ketë më përndjekje nga këta përmbarues.
Pra është e paqartë nga ana ligjore nëse institucionet financiare kanë shitur një borxh apo kanë deleguar të drejtën që ai të riformulojë një kontratë të njëanshme me kredimarrësin, duke e gjobitur në ekstrem në raport me kredinë e parë. Dhe në këtë rast përmbaruesi kthehet në kredidhënës të palincesuar.
Gjykatat tona janë ato qe i kane dhënë te drejtë përmbaruesve dhe ky është po ashtu një skandal më vete.
Pastaj ka hyrë në mes media, e cila herë sulmon Bankën e Shqipërisë për interesa të përmbaruesve, e herë herë fryn numrin e të dëmtuarve për ta bërë më pikëlluese situatën, dhe në të vërtetë nuk është përqendruar tek thelbi i problemit, që është zhvatja.
Praktika etike e mbledhje se borxhit, e cila është shkelur me të dy këmbët në këtë rast, këtu përbën vepër penale, pasi duket qartë që është bërë me qëllim grabitje. Ka dhe banka që të shtrëngojnë deri në ekstrem për mbledhjen e borxhit, për shkak të kontratës që ke nënshkruar dhe që je i qartë, por në rastin në fjalë kemi të bëjmë me një bandë përmbaruesish, që tejkalimin e etikës së mbledhjes së borxhit e kishin mekanizëm të vetëm zhvatje. Ata e kanë trajtuar mos pagimin e borxhit si ndëshkim shumëfish më të madh, ndërkohë që praktikat e mbledhjes së borxhit parashohin amnistimin dhe lehtësimin nga borxhi i të gjithë palëve.
Praktikisht ata kanë vepruar sikur ke marrë lekë me fajde tek një bandit që të thotë po nuk mi solle deri pasnesër do paguash 100 mijë lekë në ditë.
Ky skandal është një zinxhir padije nga mungesa e eksperiencës, pangopësi, boshllëk kuadri ligjor, vonesa në veprime bllokuese, padije nga ana e klientit për te drejtat, mungesë edukate financiare, korrupsion i nivelit drejtues të ulët në bankat shitëse, mos balancim i “qarit me zararin” dhe mos kuptim i demit reputacional.
Gjithsesi, mikrokreditë janë një ndihme qe mban te angazhuar një segment te shoqërisë, që pa këtë ndihmë do i duhej asistencë nga shteti, ose do kthehej në kërcënim kriminal për pjesën tjetër te shoqërisë. Është me shume biznes statistikor ne kuptimin qe bazohet më shume te fakti që për një fitim të caktuar (interes) shumica do paguajë dhe do mbulojë humbjet e atyre qe nuk do paguajnë. Shume i ngjashëm p.sh. fakti qe ata qe paguajnë dritat mbulojnë ata qe nuk paguajnë dritat. Pra mendo çfarë tension social do krijoje sikur te lije pa ujë dhe pa drita ata qe nuk kane mundësi te paguajnë.
Si përfundim është me mire te ketë një dakordësi për te rregulluar çfarë është për te rregulluar, pasi tani rrezikojmë që për shkak të një bande përmbaruesish, të kalojmë sistemin në anarki, duke refuzuar të paguajnë borxhet e këqija dhe të ndërpritet kreditimi.
Nga pikëpamja statistikore shumica e klientëve të mikrokredive nuk janë borxhlinj. Prandaj ndëshkimi i rreptë ndaj kësaj bandës së përmbaruesve, duhet të shoqërohet me përgjegjshmëri në rregullimin e kuadrit ligjor dhe boshllëqeve që janë përdorur për këtë skandal me qëllim që të mos heqim vetullat e të nxjerrim sytë, duke goditur sistemin bankar.
Bankat dhe institucionet financiare në Shqipëri janë rritur dhe depozitat jane mbrojtur. Permbaruesit jane pjesa më e përkëdhelur që kane fituar shumë nga kjo rritje. Bashkë me ta dhe shumë huamarrës të këqinj, kanë përfituar ulje detyrimesh.
Ndaj është mirë që kjo të shikohet si skandal zhvatje përmbaruesish, dhe të përmirësohet sistemi që të mos kenë më hapësira për spekulime të tilla.
Pasi ky nuk është skandal mikrokrediksh, apo skandal kredish të këqija. Ky është skandal i një grupi grabitësish që kishin studiuar se si mund të grabisnin duke përdorur hapësirat ligjore, dhe ja kishin dalë.