Fatos Kongoli një nga mjeshtrat e letërsisë shqipe foli në “Top Talk” për ndarjen nga jeta të shkrimtarit më të madh shqiptar, Ismail Kadare.
Kongoli foli për sulmet që mori Kadare që në kohën e diktaturës, ndërsa tha se shkrimtari ishte aq i zgjuar, saqë regjimin e përdori në interes të krijimtarisë së tij.
Po ashtu, shkrimtari tha se smira e kolegëve Kadarenë e ndoqi deri në fund kur ai u largua nga Shqipëria në Paris.
“Ismaili ishte shkrimtar i madh, ishte Kadare. Largimi i Kadaresë, ishte goditje fatale për regjimin diktatorial. Goditje aq e fuqishme sa regjimi nuk e mori më veten. Gjithçka që ka shkruar Kadare është e veçantë. Për mua kryevepra janë të gjitha, por dua të ndaj librin për të cilin kam dobësi shumë të madhe “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, libër unik.
Brezi im e lexonte Kadarenë mes rreshtave, kishte mesazhe kishte mendime që të ngacmonin. I tillë ka qenë Kadareja, ai ka qenë një shkrimtar i jashtëzakonshëm, jo si të tjerët. Ka pasur një rrymë të fuqishme në Shqipëri që e kritikonte se gjoja shkruante jo për lexuesin shqiptar por lexues të huaj. Mbaj mend një artikull idiot që e sulmonte se Kadareja nuk shkruante për lexuesin shqiptar. Kadareja nuk është lexuar si shkrimtar i mirëfilltë, por ai ka qenë më mirëfillti shqiptar. Kadareja ishte njeri i zgjuar, nuk ishte naiv dhe ai e përdori regjimin në interes të krijimtarisë së tij.
Ka pasur smirë, ligësi sa të duash. Kjo smirë dhe ligësi e kolegëve e ka ndjekur deri në fund Kadarenë, por pjesa më e madhe e adhuronin se ishte shkrimtar i madh”-u shpreh Kongoli. A.K.