Ashtu siç ishte përcaktuar, seanca e sotme plenare do të shoqërohet me debate të forta, pasi është parashikuar që të mbahet interpelanca me ministren e Shëndetësisë, Albana Koçiu.
Kjo interpelancë është kërkuar me urgjencë nga ana e deputetëve të opozitës, ndërsa ministrja do të duhet të japë llogari për skandalin te Onkologjiku, ku mjekë dhe infermierë detyronin pacientët me kancer që të kuroheshin drejt klinikave private. Interpelancë për këtë çështje është kërkuar dhe nga deputeti Arbi Agalliu i grupit Basha.
Sakaq, në rend dite në Kuvend do të jetë dhe raundi i dytë i votimit për plotësimin e vakancave në KLGJ dhe KLP. Dy kandidatët e dërguar nga Komisioni i Ligjeve në Kuvend për KLGJ janë Erind Mërkuri dhe Albens Tabaku, ndërsa për KLP janë Artan Reci dhe Bedar Bajri. Ndërkohë për këtë votim duhen të paktën 84 vota. Në rend dite në seancën e sotme plenare janë edhe raporti vjetor i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për vitin 2023; raporti vjetor i Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale për vitin 2023; raporti vjetor i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) për vitin 2023; si dhe raporti vjetor i veprimtarisë së Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi për vitin 2023.
Po ashtu, në seancën plenare deputetët e Kuvendit do të diskutojnë dhe më pas hedhin për miratim edhe disa projektligje, sikurse janë: Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian për pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë në programin e drejtësisë”; Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin “Për mbrojtjen e mjedisit”, i ndryshuar”; Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis”, i ndryshuar”, Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin “Për mbrojtjen e cilësisë së ajrit në mjedis”, i ndryshuar” si dhe Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për mbrojtjen e biodiversitetit””.