Një operacion është zhvilluar në orët e para të mëngjesit të sotëm në Vlorë, që ka çuar në pranga drejtuesin e prokurorisë së qytetit, Aurel Zarka. Operacioni është zhvilluar me urdhër të SPAK. Bashkë me Zarkën në pranga kanë rënë dhe Eriona Dautaj, ish-oficere e krimeve të rënda, aktualisht studente e Magjistraturës, Astrit Vladi, si dhe avokati Radovan Çela.
Ndaj Zarkës rëndon akuza për veprën penale “Ushtrim ndikimi të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Aurel Zarka e ka filluar karrierën e tij në sistemin e drejtësisë si oficer i Policisë Gjyqësore në vitin 2004 pranë ish-Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Ai u emërua prokuror në vitin 2012 dhe prej asaj kohe e ushtron funksionin në Prokurorinë e Rrethit të Vlorës, ku së fundmi mbante funksionin e drejtuesit.
Prokurori Zarka kaloi filtrin e Vetingut vetëm pak javë më parë. Ai u konfirmua në detyrë në datën 28 qershor nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK. Zarka pati një seancë të shkurtër dëgjimore një ditë më herët, gjatë së cilës dha shpjegime të përmbledhura për dy gjetje në kriterin e pasurisë. Për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin Zarka u vlerësua pozitivisht. Po ashtu, nuk u evidentuan probleme dhe për katër denoncime të dorëzuara në KPK nga publiku.