Mirela Kumbaro ka replikuar në Kuvend me deputetin Tritan Shehu, i cili u shpreh kundër marrëveshjes për hapjen në Gjirokastër të UNED-Universitetit më të madh spanjoll të Edukimit në Distancë.
Debati nisi pasi sot në Kuvend do të miratohet marrëveshja për hapjen e këtij kampusi. Deputeti i PD tha se Universiteti i Gjirokastrës nuk ka dijeni për këtë zhvillim. Por Kumbaro ia hodhi poshtë menjëherë teksa i tregoi protokollin e bashkëpunimit mes UNED dhe Universitetit “Eqrem Çabej”
“Ç’dëgjojnë veshët e kësaj salle. Broçkulla, broçkulla… Po ndaj me ju marrëveshjen që Universiteti i Gjirokastrës ka bërë me UNED dhe marrëveshjen që Bashkia Gjirokastër ka me UNED, universiteti më i madh publik në Spanjë.
Kampusi ekziston dhe është i pajisur nga bashkia me sallat, teknologjinë e gjithcka tjetër. Kampusi do të jetë një mundësi e re, një jetë e re edhe për rajonin e Ballkanit. Të flasësh keq për Gjirokastrën të godet perëndia i dashur koleg”, i tha Kumbaro deputetit Tritan Shehu.
Në vijim të replikës së saj, ajo i kujtoi deputetit të PD edhe universitetin privat ku Tritan Shehu është një nga aksionerët, “Zoja e Këshillit të Mirë”.
“Nuk i ka ardhur asnjë e keqe Universitetit të Mjekësisë nga konkurenca me Universitetin “Zoja e Këshillit të Mirë”, të dy zhvillohen paralelisht i tha Kumbaro-Shehut.