Sulmuesi i Anglisë, Harry Kane vlen 100 milionë euro. 30-vjeçari pritet titullar sot në finalen e Euro 2024 mes Spanjës dhe Anglisë, e programuar për këtë të dielë në orën 21:00.

Edhe pse duket e pabesueshme, Kane nuk ka fituar asnjë trofe me klubet ku ka luajtur, apo me kombëtaren e “Tre Luanëve”.

Në vitin 2015 ai luajti finalen e parë në ‘Carabao Cup’ me Tottenhamin, por skuadra e drejtuar asokohe nga Mauricio Pochettino humbi me rezultat 2-0 nga Chelsea e Jose Mourinhos.

Në vitin 2019, Tottenhami arriti finalen e parë të Ligës së Kampionëve në histori të klubit. Historia, për fat të keq të Harry Kane përfundoi në të njëjtën mënyrë. 2-0 për Liverpoolin dhe një finale e dytë e humbur.

Vitit 2021 parashikohej të ishte viti i Kane. Finalist i dyfishtë në Carabao Cup dhe në Euro 2020 që u luajt një vit më vonë për shkak të pandemisë Covid-19. Sërish Kane u dëshpërua, pasi ‘Tre Luanët’ humbën finalen ndaj Italisë në penallti, ndërsa humbje pësuan edhe në finale të ‘Carabao Cup’ ndaj Manchester Cityt me rezultatin 1-0.

Me tërë këto dështime, Harry Kane vendosi të ‘paketonte valixhet’ dhe të largohej nga ishulli. Destinacioni i tij do të ishte Bayern Munich, në letër një ekip me të cilin do të ishte ‘më e lehtë’ të thyente ‘mallkimin’ e tij, por gjithçka ishte larg realitetit.

Në ndeshjen e parë zyrtare të Harry Kane me bavarezët në Superkupën e Gjermanisë, një hat-trick nga Dani Olmo i dha fitoren Leipzigut. Sezoni i tij i parë në Munich, doli të jetë sezoni i parë pa tituj për Bayernin që nga sezoni 2011-2012.

Bayer Leverkuseni i Xabi Alonsos bëri mrekullinë duke fituar Bundesligën dhe Kupën e Gjermanisë duke vazhduar kështu ‘mallkimin’ e Kane.
Mbetet të shihet nëse kjo e dielë do jetë e bekuar për Anglinë dhe Harry Kane, që me finalet nuk i ka pasur mirë punët në karrierë.