Kryefjala e këtij muaji ka qenë padyshim Kampionati Europian. Natyrisht që për ne si shqiptarë, ky edicion ka qenë edhe më special, pas pjesëmarrjes për herë të dytë të Kombëtares sonë. Ndonëse nuk mundën të kalonin grupin, djemtë tanë dhuruan spektakël në të tria ndeshjet, duke u shndërruar në yjet e preferuara të një kombi.
Tifozët kuqezinj ishin jo vetëm në stadium, po kudo për t’i ofruar mbështetjen e tyre. E tashmë që kjo eksperiencë përfunduar, edhe për djemtë e Kombëtares ka nisur sezoni i pushimeve. Por duket se me përfundimin e Europianit, shumë prej tyre kanë ndryshuar edhe statusin e tyre. Disa na kanë prezantuar me partneret e reja. Sakaq, të tjerë i kanë dhënë fund historive të gjata të dashurisë.
REI MANAJ
Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Rey Manaj, nuk është më beqar. Ka qenë vetë lushnjari, i cili ka bërë publike lidhjen e dashurisë. Teksa ka publikuar një album me foto nga dasma e të afërmve të tij, mes fotove ndodhej edhe ai me partneren. E ulur në prehrin e tij, partnerja e Rey Manaj duket mjaft simpatike.
Ajo nuk është një fytyrë publike dhe sulmuesi ka zgjedhur të mos ia zbulojë ende identitetin. Manaj ishte një nga lojtarët që përfaqësuan Shqipërinë në “Euro 2024”. Ai luajti si titullar ndaj Kroacisë dhe Spanjës, por nuk arriti të shënonte.
Që kur nisi karrierën e tij me Kombëtaren, Manaj ka preferuar që jetën e tij private ta lërë sa më larg vëmendjes. Kjo është hera e parë që sulmuesi kuq e zi shihet në krah të një femre. Për sa kohë vetë Rei i ka bërë publike këto imazhe, lidhja me vajzën misterioze duket se është serioze, duke konfirmuar kështu se është më i dashuruar se kurrë.
TAULANT SEFERI
Futbollisti i Kombëtares, Taulant Seferi, ka ngjallë një interes për futbollin edhe te vajzat, që nuk e kanë ndjekur ndonjëherë këtë sport. Gjatë eliminatoreve për “Euro 2024”, arriti të tërheqë shumë vëmendje për pamjen e tij fizike dhe u bë “hit” në rrjetet sociale.
Por së fundmi, Seferi ka rindezur shpresën që kishte shuar te vajzat. Ai ka treguar se është sërish ‘single’. Futbollisti pranoi se nuk është më në një lidhje, duke u shprehur: “Jam ‘single’. Kam dalë dikur në një intervistë kam thënë se jam në lidhje, por tani jam ‘single’”, – u shpreh Seferi. Më parë, futbollisti na kishte treguar se kishte 4 vite me partneren e tij që jeton në Zvicër, por duket se tashmë gjithçka ka marrë fund mes tyre. Ai ishte i ftuar në “Më Lër të Flas”, ku ndau disa detaje nga jeta personale, përfshirë edhe nëse është ‘single’ apo jo.
Gjatë pyetjeve që Donald dhe Romeo Veshaj i bënë sulmuesit, ai theksoi se prej katër vitesh është në lidhje me një vajzë shqiptare që jeton në Zvicër. Taulanti tha se ndonjëherë ajo bëhet xheloze për videot virale që janë bërë në rrjete sociale nga vajzat, por ka arritur të gjejë zgjidhjen.
“Unë i ka dhënë sigurinë. I ka parë ajo të gjitha memet, domethënë ndonjëherë bëhet xheloze për këto videot virale në ‘TikTok’, por unë i kaloj me sportivitet. Unë jam shumë i lumtur. Më do shumë vjehrra”, – shprehej Seferi. Por tani gjithçka ka mbaruar dhe vajza, ylli i Kombëtares sonë tashmë është ‘single’.
THOMAS STRAKOSHA
Portieri i Kombëtares, Thomas Strakosha, ka spikatur këtë Europian në ekipin kuqezi me pritjet e tij herë pas herë vendimtare. Por, ndryshe nga shumë futbollistë të Kombëtares që janë komentuar për mbështetjet e partnerëve të tyre në shkallët e stadiumeve të Gjermanisë, Strakoshës i ka munguar kjo pjesë. Strakosha e ka përjetuar këtë Europian si ‘single’.
Katër vite më parë, Thomas Strakosha bëri publike lidhjen me modelen Esther Adjoa Asiedu, por duket se tani gjithçka ka përfunduar, pasi dyshja ka fshirë fotot me njëritjetrin në profilet e tyre në “Instagram”.
Lidhja me Esther dukej serioze, ku vetë portieri publikonte foto me partneren dhe familjarët e tij, duke na konfirmuar kështu se ky raport ishte i konsoliduar tashmë edhe për familjet. Por atëherë kur dukej se historia po shkonte drejt finalizimit në fejesë, dyshja i dha fund. Esther vijoi me angazhimet e saj, sakaq Strakosha vijoi karrierën, duke i munguar kështu mbështetja që prej vitesh partnerja i jepte.