Një 24 vjeçar është arrestuar pasi akuzohet se ka kanosur dhe shantazhuar ish deputetin e PS-së, biznesmenin Vladimir Kosta. Selman Totraku akuzohet se në periudha të ndryshme kohore ka kanosur biznesmenin për dhënie pasurie, me pretendimin se ky i fundit i ka dëmtuar atij banesën.
Mësohet se ai i ka kërkuar 200 mijë euro me pretendimin se i ka prishur shtëpinë.
Pas denoncimit të biznesmenit policia e Tiranës organizoi një takim të Selman Totrakut me biznemenin, sikur do të jepte paratë e kërkuara. Sapo kanë mbërritur në vendin e takimit i riu është arrestuar.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Tiranë arrestuan shtetasin S. T., 24 vjeç, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, parashikuar nga neni 109/b i Kodit Penal, informoi sot policia.
Shqiptarja.com mëson se madje kërcënimet e të riut kanë shkuar më tej duke i cuar mesazh se nëse nuk do i jepte 200 mijë euro, do kërkonte 400 mijë.
Vladimir Kosta po ndërtonte një kompleks në Sauk dhe 24 vjeçari pretendon se i është prishur banesa.
Totraku rezulton i dënuar 2 herë më përpara, për dhunë në familje dhe për drogë.
Shtëpia që ai pretendon se është prishur nga ish-deputeti është më shumë se 10-15 metër larg, dhe sipas tij ka ndodhur në 2019, por nuk e ka denoncuar sepse ka pretenduar se do e rregullonte vetë me diskutim me biznesmenin.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy mjete të mprehta (kaçavida), të cilat iu gjetën të riut gjatë kontrollit fizik, ndërsa dosja do i kalojë për hetim prokurorisë së Tiranës.