Dosja e ngjarjes me tritol në banesën ku jetonin me qira dy motrat Alda dhe Gjovana Nikolli Nikolli, i ka kaluar SPAK, pasi Prokuroria e Elbasanit ka shpallur moskompetencë për këtë ngjarje.
Motrat Alda dhe Xhovana Nikolli pretenduan se shpërthimi që la të plagosur një banor të pafajshëm, i cili ndodhet në gjendje të rëndë, është porositur nga Nuredin Dumani pas përplasjeve që dy motrat kishin me të penduarin e drejtësisë.
Teksa prokuroria e Elbasanit e kishte regjistruar për plagosje të rëndë dhe posedim eksplozivi, dosja tani do t’i bashkohet të njëjtit hetim ku është pjesë e dhe i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani.
Alda Nikolli është e bindur se pas këtij krimi fshihet Nuredin Dumani. Në një intervistë ajo tregon se me të penduarin e drejtësisë kishte krijuar një marrëdhënie prej 2 muajsh, krisja e të cilës pasoi me kërcënime.
Alda Nikolli: Neve na vendosën një tritol në shtëpi, kjo erdhi si pasojë e një videoje, mendoj dhe dyshoj unë. Gjithashtu edhe një kërcënim që ne kemi marrë dy ditë përpara shpërthimit. Unë nuk di të kem pasur ndonjëherë probleme me njeri. Edhe nga ju është verifikuar që unë nuk kam pasur probleme. I vetmi kërcënim që unë kam marrë është i Nuredin Dumanit.
Pyetje: Si e njohët Nuredin Dumanin?
Alda Nikolli: Nuredin Dumanin unë e kam njohur nëpërmjet Amarildo Xhanej, kunatit tim, dhe ndodhet aktualisht në burgun 313.Ndodhen në një godinë. Mendova që donte të njiheshim, por paska pasur qëllim të na përdorë si mua dhe motrën time Gjovanën. Unë nuk e dija që Nuredini kishte të dashur jashtë. Mirjetën. E cila më kërcënoi, më tha më fakto që flet me Nuredinin. Kur ja faktova me një voice, 5 minuta më vonë Nuredini më mori në telefon dhe më kërcënoi. Më pas bllokoi adresat, më la të qetë dy ditë e pastaj veproi’.
Për TCH ajo tregon se Nuredin Dumani pasi dështoi nga tentativa për të dëmtuar statusin e të penduarit të drejtësisë të Amarildo (Xhanej) Nikollit nga të dhënat që merrte nga kunata e tij pasi kjo e fundit iu drejtua SPAK duke treguar komunikimet me të, ai veproi hapur në burg.
‘Më ka kërcënuar me Amarildon, e ka rrahur dy herë në burg brenda 1 jave e gjysmë’, shprehet ajo.
Sipas Alda Nikollit, Nuredin Dumanin nuk e pengojnë muret e qelisë për të vijuar aktivitetin kriminal.
‘Nuredin Dumani kështu jeton duke i vënë gjoba njerëzve, se nuk është se ka lekë’.
Pyetje: Çfarë di ti për këtë gjobëvënie, vijon aktivitetin edhe në burg?
Alda Nikolli: Patjetër që po. Jo më larg se para ca ditësh i vuri gjobë Amarildo Nikollit 400 mijë euro, e ka detyruar të pranojë gjëra që si ka bërë me presion. Do t’i vinte gjobë dhe Dakut, Leonard Luzit por për fat të keq u kap dje dhe nuk arrin dot tia vërë. Ai kishte kompjuter (laptop). Cdo gjë kishte. Ishte dhomë. Jo burg por si hotel, kishte televizor, thika, kondicioner. Unë s’kam kondicioner në shtëpi, Nuredini ka’
Pyetje: Çfarë të tregonte?
Alda Nikolli: Më tregonte për vrasjet që kishte bërë me gjakftohtësi të madhe. Tregonte për gocën që kishte përdhunuar dhe ishte hedhur para makinës dhe ka vdekur. E shumë gjëra të tjera.
Ajo ka treguar se ka folur me ‘skype’ nga burgu me Nuredin Dumanin.
‘Jemi njoftuar nëpërmjet skype-it, kemi lidhur kontaktet e kemi vazhduar të flasim. Kemi folur 24/24. I lejohej atij. Nuredini është drejtor i burgut, jo i burgosur, se di kush e thotë. Mendova që donte të njihej, por paska pasur qëllim për të më përdorur, si mua dhe si motrën time Xhovanën. Atëherë qëllimi i Dumanit ishte që t’i hiqte statusin Amarildos, të pushonte nga puna prokuroren edhe të lante haqet me hasmin nëpërmjet meje.’- tha ajo.
Pyetje: Po pse thua që ai është i interesuar për t’i hequr statusin e kunatit tënd? Ku e kuptove ti këtë gjë?
Alda Nikolli: Unë e kuptova sepse ma ka shprehur, ka deklaruar, më ka thënë që atë e ka futur aty Emiljano Shullazi, nuk e meriton të jetë aty, duhet ta heq, motrën tënde do ta vrasin, këto kanë qenë fjalët e atij.
Për të gjitha këto ajo i është drejtuar policisë dhe SPAK, por shprehet se është lënë e braktisur.
‘Kam shkuar në SPAK dhe në Policinë e Elbasanit, nuk ka shans të bëj një denoncim ndaj Nuredin Dumanit. Në SPAK më thanë ka dashur të të trembë jo të të vrasë, se di mbase këtë radhë edhe e arrin’, tha ajo.