Pronari i dy mjeteve kamion është ndëshkuar me gjobë pasi dyshohet se ka lejuar qarkullimin e kamionëve duke shkelur kufizimet të cilat më herët janë publikuar sa i përket lëvizjes së mjeteve të tonazhit të rëndë.
Sipas komunikatës nga Drejtoria Vendore e Policisë së Vlorës mjetet janë konstatuar gjatë monitorimit të pandërprerë në akset rrugore, më tej është identifikuar dhe ndëshkuar administrativisht pronari i dy kamionëve, drejtuesit e të cilëve në kundërshtim me kufizimet për lëvizjen e mjeteve të rënda qarkulluan në tunelin e Llogarasë me ngarkesa të pasiguruara.
Gjoba është vendosur 13000 lekë për secilin kamion, ndërkohë që policia u bën apel qytetarëve të denoncojnë nëse konstatojnë raste të tilla.
Njoftimi i policisë:
Policia Rrugore e Vlorës, e pranishme 24/7, në të gjitha akset rrugore dhe në qendrat e qyteteve të qarkut, për garantimin e sigurisë rrugore.
Gjatë monitorimit të pandërprerë në akset rrugore, identifikohet dhe ndëshkohet administrativisht pronari i dy kamioneve, drejtuesit e të cilëve në kundërshtim me kufizimet për lëvizjen e mjeteve të rënda qarkulluan në 📍tunelin e Llogarasë me ngarkesa të pasigurara.
Policia Rrugore e Vlorës ka ndëshkuar me 2 masa administrative prej 13000 lekë secila, pronarin e dy mjeteve kamion, shtetasin L. D, drejtuesit e të cilëve janë konstatuar gjatë monitorimit në kamerat e sigurisë duke qarkulluar në tunelin e Llogarasë pa siguruar ngarkesat e tyre, si dhe duke lëvizur në orarin e palejuar për qarkullimin e mjeteve mbi 3.5 Ton.
Kontrollet e shtuara nga Policia do të vijojnë në të gjitha akset rrugore urbane, interurbane dhe rurale, si edhe duke përdorur të gjitha mjetet bashkëkohore logjistike, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.
Policia Rrugore e Vlorës apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve të rënda të respektojnë kufizimet për qarkullimin e mjeteve jashtë qendrave të banuara dhe të zbatojnë me rigorozitet rregullat dhe oraret e vendosura.
Ftojmë qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.