Festimet e diskutueshme të fitores së Copa America nga Albiceleste, veçanërisht pas sjelljes së Enzo Fernández, në të cilën dëgjohen thirrjet me përmbajtje raciste dhe ksenofobike, kanë pasur tashmë pasoja në qeverinë argjentinase… Nënsekretari i Sporteve është shkarkuar.
Julio Garro u shkarkua me vendim të presidentit Javier Milei, pasi ishte shprehur se Lionel Messi, si kapiten i Argjentinës, duhet të kërkojë falje publike për sjelljen e lojtarëve gjatë festimeve në autobusin e delegacionit, pavarësisht se nuk ka qenë i pranishëm në të.
“Presidenca informon, se asnjë qeveri nuk mund t’i thotë çfarë duhet të komentojë, çfarë duhet të mendojë apo çfarë t’i bëjë skuadrës argjentinase kapiteni, kampioni i botës, apo qoftë një qytetari tjetër. Për këtë arsye, Julio Garro largohet nga posti i nënsekretarit të sporteve”, lexohet në shënimin e publikuar.
Në zanafillën e polemikave është një mesazh i drejtpërdrejtë nga Enzo në rrjetet sociale me lojtarët argjentinas, që këndojnë një këngë të krijuar në Kupën e Botës 2022, me përmbajtje raciste dhe homofobike, duke synuar kombëtares franceze:
“Ata luajnë për Francën, por janë nga Angola, sa mirë që vrapojnë. U pëlqen të kenë marrëdhënie me transeksualë, nëna e tyre është nigeriane, babai i tyre është kamerunian, por me pasaportë janë: francezë”
Pas këtij episodi, Chelsea njoftoi hapjen e një procesi të brendshëm disiplinor ndaj mesfushorit Enzo Fernández, ndërkohë që edhe FIFA po heton rastin pas një ankese të Federatës Franceze.