Ursula von der Leyen është rizgjedhur si Presidente e Komisionit Evropian pas një votimi të fshehtë mes eurodeputetëve. Ajo siguroi mbështetjen e 401 anëtarëve të Parlamentit Evropian në një votim në Strasburg të enjten – 40 më shumë seç i nevojitej.

Von der Leyen, e Partisë Popullore Evropiane (EPP) e qendrës së djathtë, u zgjodh për herë të parë në vitin 2019. Ajo tani do të shërbejë edhe pesë vjet të tjera në krye të BE-së. Teksa priste zyrtarizimin në krye të Komisionit Europian për një mandate të dytë pesëvjeçar, Ursula von der Leyen bëri publike prioritetet e saj ku një vend të rëndësishëm duket se do të ketë zgjerimi i BE-së.

“Kremtimi i 20-vjetorit të zgjerimit më të madh ndonjëherë të BE-së na mundësoi të reflektojmë mbi këtë proces, që u dëshmua si sukses për këto vende, dhe për BE-në në tërësi. Historia na thërret përsëri dhe BE-ja ka një zgjedhje për ta bërë për të ardhmen e saj. Unë besoj se është një imperativ moral, politik dhe gjeo-strategjik që ta kompletojmë bllokun tonë, në përputhje me premtimet që kemi dhënë në bazë të traktateve”, thuhet në një deklaratë të saj. “Në një botë ku ekzistojnë fuqitë e mëdha, një BE më e fortë dhe më e zgjeruar, i jep Europës një peshë më të madhe në skenën globale”, u shpreh zyrtarja e lartë, e cila e ritheksoi megjithatë se zgjerimi mbetet i bazuar tek meritat.

“Ky nuk do të jetë një rrugëtim i lehtë. Anëtarësimi në BE do të jetë gjithmonë i bazuar në merita dhe secili kandidat do të vlerësohet në bazë të progresit në përmbushjen e kritereve. Do t’i rrisim përpjekjet për t’i përgatitur vendet kandidate, në veçanti përmes investimeve dhe reformave me planin e rritjes për Ballkanin Perëndimor, dhe mjetet për Ukrainën”, ishte komenti i saj.

Ajo ka paralajmëruar se do të caktojë një komisionerin të posaçëm për mbrojtjen dhe një për Mesdheun, duke i cilësuar këto fusha si sfidat kryesore të BE-së aktualisht.