Rea Xhillari, vajza e bashkëshortes të kryeministrit Edi Rama ka kallëzuar në Gjykatën e Tiranës, Sali Berishën dhe 6 deputetë të tij për shpifje pas akuzave të tyre të vazhdueshme se ajo ka përfituar tendera publike.
Ajo ka hedhur poshtë këto pretendime duke shtuar se Berisha dhe deputetë e tjerë kanë me deklarata të pavërteta kanë cenuar reputacionin dhe personalitetin e saj.
“Detyrohem të vë në lëvizje gjykatën për të ushtruar kontrollin gjyqësor, mbi një shpifje të fabrikuar ka kohë ndaj meje që e ka fillesën në muajin gusht të vitit 2016, kur plot 8 vite më parë Sali Berisha më ka akuzuar se kam marrë pjesë dhe kam përfituar tendera publikë. Sipas individit për të cilin kërkoj kontroll gjyqësor, këta tendera i kam përfituar “nëpërmjet subjektit tregtar 51N4E”, që në fakt është një studio arkitekture me qendër në Bruksel. Përgjatë këtyre 8 viteve, Sali Berisha ka vijuar në mënyrë të herëpashershme të përgojojë në publik emrin tim, duke më asociuar arbitrarisht me aktivitete, individë dhe përfitime pa asnjë lidhje me mua”, thuhet mes tjerash në aktpadinë e Xhillarit.
Krahas Berishës, deputetë e tjerë, të cilët janë paditur në Gjykatën e Tiranës për shpifje nga Xhillari janë Luan Baçi, Flamur Noka, Tritan Shehu, Albana Vokshi, Edi Paloka, Edmond Spaho.