SHQIPËRI- Valutat e huaja mbeten në vendnumëro përballë monedhës kombëtare. Java e dytë e korrikut ka nisur përsëri me një tendencë të njëjtë të kursit të këmbimit euro, e cila për tre muaj me radhë vijon të mbetet në kufijtë e 100 lekëve.
Ulja e normës bazë të interesit me 0.25% duket se nuk ka dhënë asnjë ndikim në dobësimin e monedhës kombëtare. Po ashtu edhe dollari vijon të qëndrojë në nivele shumë të ulëta përballë lekut duke u këmbyer me 92 lekë.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë agjentët e kursit të këmbimit presin që monedha europiane të pësojë dobësim të mëtejshëm në muajt në vijim.
Kjo e nxitur nga flukset turistike që priten gjatë verës. Ardhja e më shumë turistëve në vend nënkupton më shumë valutë në tregun vendas dhe së fundmi kësaj tendencë i është shtuar edhe fakti që euro është dobësuar në tregun ndërkombëtar si rrjedhojë e rezultatit të zgjedhjeve në Europë.
Euro rezulton gati 13 pikë më e ulët nëse e krahasojmë me të njëjtën periudhë të një viti.
Vetëm në periudhën janar-mars, Banka e Shqipërisë ka tërhequr nga tregu 32.60 milionë euro duke pasur si synim rritjen e rezervës valutore, por njëkohësisht edhe si një masë për të mos lejuar dobësim të mëtejshëm të monedhës europiane.
Në këto tre muaj, Banka Qendrore ka zhvilluar tre ankande, ndërsa në muajt e verës parashikohet që ndërhyrja të rritet. Gjatë këtij viti, Banka e Shqipërisë ka parashikuar që të tërheqë nga tregu rreth 330 milionë euro.