Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ka mbërritur pasditen e sotme në zonën e Kavajës, ku së bashku me Kryetarin e Bashkisë, kanë dalë në terren për të ndjekur nga afër punën e forcave të angazhuara në fikjen e vatrave të zjarrit.
Mësohet se në operacion janë angazhuar rreth 50 forca zjarrfikëse, ndërsa fatmirësisht nuk ka qytetarë apo efektivë të lënduar.
Shërbimet zjarrfikëse, AKMC dhe Forcat e Armatosura po vijojnë përpjekjet nga toka dhe ajri për vendosjen nën kontroll të zjarrit, i cili shtrihet në një sipërfaqe të madhe në zonën e Kavajës.
Për të shmangur çdo situatë me rrezikshmëri, Policia e Shtetit ndërkohë ka evakuuar banorët nga disa banesa të rrezikuara nga flakët.
“Jemi në një situatë zjarri, ku kemi mbrojtur shtëpitë në pjesën veriore. Zjarri ka perimetër të madh, mbi 10 ha. Kemi angazhuar rreth 50 forca zjarrfikëse, veç Kavajës dhe nga Tirana, Kamza, Lushnja, Durrësi që po vijojnë punën. Fatmirësisht nuk kemi persona apo zjarrfikës të lënduar. Era në disa raste ka favorizuar flakët’, informoi Drejtori i Përgjithshëm i MZSH-së, Arben Cara.