Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, me anë të një telegrami, ka shprehur ngushëllimet e tij për largimin nga jeta të gazetarit Aristir Lumezi.
Në mesazhin e tij, Begaj vlerëson figurën e Lumezi në gazetari, si një njeri profesionit e që nuk ka bërë kurrë kompromise për të vërtetën.
“E nderuar Eleonora dhe familja Lumezi, Mësova me hidhërim lajmin e ndarjes nga jeta të Aristirit, i cili trishtoi të gjithë ata që e njohën personalisht, por edhe ata që e njohën nëpërmjet ekranit, shkrimeve dhe analizave të tij. Gazetaria shqiptare humbi sot Kryeredaktorin që përcolli frymën perëndimore në shtypin e shkruar shqiptar përmes filozofisë së tij të drejtimit. Aristiri ishte gazetari, reporteri i terrenit, redaktori, kryeredaktori dhe analisti që me të vërtetën nuk bëri kurrë kompromis. Sot, shqiptarët humbën njeriun e analizave të përcjella me guxim nëpërmjet maturisë së karrierës së pasforcuar në media.
Shqipëria do të ketë gjithmonë nevojë për modelin e profesionistit që ai përcolli në media. Unë besoj se të gjithë ata që bashkëpunuan me të dashurin tuaj të zemrës do ta mbajnë për shembullin se si duhet të shkruajnë e të mbajnë qëndrimet në raport me të vërtetën. Ju lutem, pranoni ngushëllimet e mia të sinqerta! U prehtë në paqe Aristir Lumezi!”, – shprehet Begaj, në emër të të cilit u vendos edhe një kurorë me lule në arkëmortin e trupit të gazetarit Aristir Lumezi. Gazetari i njohur Aristir Lumezi është ndarë nga jeta në moshën 57-vjeçare. Lumezi vuante prej kohësh nga një sëmundje e rëndë, që e ndau në moshë të re nga familja dhe miqtë e tij.
Aristir Lumezi kishte një karrierë të gjatë, prej më shumë se dy dekadash, në media si gazetar në sektorin e politikës. Së fundmi ai ishte kryeredaktor i Gazetës Panorama. Me eksperiencën e tij shumëvjeçare, ai ka qenë shpesh pjesë e ekranit të A2CNN me komentet dhe analizat politike mbi aktualitetin në vend.