Klevisa Ymeri, një influencere shqiptare është vendosur në pranga pasi ka aksidentuar për vdekje dy persona në Kroaci. 29-vjeçarja ka përplasur me makinë vëlla e motër, 21-vjeçarin Stjepan dhe 19-vjeçaren Katarina Derek. Si pasojë, e reja nga Shkodra ka përfunduar në pranga. Shqiptarja ka qenë duke lëvizur me një fuoristradë “BMW”, me targa sllovake e me shpejtësi gati 170 km/h kur është përplasur me makinën e të rinjve që kanë humbur jetën në vendngjarje. Vetë e reja shqiptare ka pësuar lëndime të lehta dhe për këtë arsye është transferuar në repartin e kirurgjisë abdominale në Spitalin e Përgjithshëm të Dubrovnikut.
Atje është arrestuar dhe është marrë në pyetje pasi akuzohet për parakalim të pakujdesshëm dhe shkaktimin e një aksidenti me vdekje. Mediat kroate raportojnë se as Ymeri dhe askush nga familja e saj nuk ka kontaktuar me familjen Derek për t’i shprehur ngushëllimet dhe keqardhjen e tyre. E reja shqiptare ka qenë e njohur për mediat edhe në vendin tonë, pasi vendosi të surprizonte një shoqe që ndodhej në burg në Trento të Italisë. Ymeri kishte një sërë profilesh në rrjetesh sociale, ku bënte foto dhe video duke dhënë jep këshilla për grimin e lidhjet. Ajo kishte 33,000 ndjekës në TikTok dhe pothuajse 14,000 në Instagram, por profilet e saj aktualisht janë të mbyllura.