Një person i armatosur qëlloi për vdekje ish-deputeten nacionaliste të parlamentit ukrainas, Irina Farion, e njohur për fushatat e saj të hapura në favor të mbrojtjes së gjuhës ukrainase.

Policia ka nisur kërkimet për autorin që dyshohet se qëlloi për vdekje 60-vjeçaren në një rrugë në qytetin e Lviv. Rasti është klasifikuar si “tentativë vrasje”, tha pak pas ngjarjes ministri i Brendshëm Ihor Klimenko.

“Viktima është në gjendje kritike dhe mjekët po luftojnë për t’i shpëtuar jetën”, shtoi ai pak minuta pasi Farion u qëllua në kokë.

Megjithatë, sipas mediave ukrainase, ish-deputetja nuk i ka mbijetuar plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë disa orë pas sulmit.

Lajmi u konfirmua më pas nga guvernatori i qytetit ukrainas Maksim Kozhitsky, ashtu si edhe nga kryetari i bashkisë së Lviv, Andriy Sandovy.