Në zgjedhjet e 4 gushtit për bashkinë e Himarës do të kenë të drejtën e votës 23 mijë e 74 zgjedhës, sipas listës së përpiluar nga Drejtoria e Përgjithshme e gjendjes civile.
Nisur nga ky numër i himariotëve me të drejtë vote, KQZ miratoi këtë të shtunë edhe numrin e fletëve të votimit, që do të jenë 2% më shumë sesa numri i zgjedhësve dhe do të jenë 36 Qendra Votimi.
Zgjedhjet e 4 gushtit po zhvillohen nën klimën e përplasjeve mes opozitës dhe maxhorancës për shkak të heqjes së mandatit të Fredi Belerit.
Në garë janë Vangjel Tavo i PS dhe Petro Gjikuria i opozitës që ka premtuar të çojë para axhendën e Belerit.