Dikur një premtim i madh në futbollin europian, Adnan Januzaj vazhdon të largohet nga skena e madhe. Tashmë, sulmuesi belg do të luajë për Las Palmas, i huazuar nga Sevilla.
I stërvitur te Anderlecht dhe Manchester United, Januzaj ra në sy te ‘Djajtë e Kuq’, ku pati sezone të mira. Megjithatë, sulmuesi filloi të rëndohej nga dëmtimet dhe pas huazimeve të pasuksesshme te Borussia Dortmund dhe Sunderland, ai kaloi te Real Sociedad, në këmbim të 8.5 milionë eurove.
Në fillim të sezonit 2022/2023, ai iu bashkua Sevillas në një transferim të lirë, por nuk arriti të vendoset në klubin andaluzian, pasi ishte huazuar te Basaksehir në Turqi, në gjysmën e dytë të atij sezoni.
Vitin e kaluar, ai luajti në 11 ndeshje për andaluzët. Pa hapësirë në klubin e Sevilles, lojtari 29-vjeçar tani shkon në Ishujt Kanarie dhe Las Palmas, ku shpreson të luajë përsëri rregullisht.