Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujtoi sot, 201 vjet pas vdekjes, atdhetarin Marko Boçari.
Heronjve u kujtohet ditëlindja, si fillim i veprës së tyre dhe datëvdekja, si fillimi i lavdisë së tyre. Por ca heronjve lavdia u fillon që në gjallje. I tillë ishte edhe Marko Boçari, i cili lindi në Sul të Çamërisë më 1788 dhe ra në betejë më 9 gusht 1823.
Ishte një nga djemtë e Kiço Boçarit, prijës i krahinës së Sulit. Bashkë me familjen dhe gjithë suljotët u largua në vitin 1803 drejt Korfuzit, nën presionin e Ali Pashë Tepelenës, që kërkonte të kontrollonte gjithë zonën rreth Janinës. Aty ai ishte pjesë aktive e Regjimentit shqiptar (Regiment Albanais) të ushtrisë franceze.
Kulmin e aftësive të tij luftarake e tregoi me fillimin e kryengritjes greke kundër osmanëve, më 1821 e më pas, ku morën pjesë edhe mijra shqiptarë të tjerë nga të dyja anët e luftës. Ai luajti rol të rëndësishëm në rrethimin e parë të Mesolongjit, që ishte kthyer në simbol rezistence.
Më 9 gusht 1823, Boçari në krye të 350 suljotëve u hodh në sulm kundër trupave osmane. Suljotët u shkaktuan dëme të mëdha trupave osmane, por Boçari ra në betejë. Për të nderuar kujtimin e tij, e varrosën në Mesolongj. Varri iu shkatërrua, pas rënies së Mesolongjit, nga trupat osmane që pushtuan qytetin.