Një prej pikave të diskutimit në tërësinë e reagimeve dhe qendrimeve mbi vrasjen e 42 vjecarit në Pogradec, ishte edhe akuza për një fshehje të mundshme të rrethanave të ngjarjes nga ana e policisë së shtetit.
Kësaj akuze i frynë edhe më shumë përfaqësues të politikës të cilët pretenduan se fillimisht policia e Pogradecit kishte njoftuar që 42 vjecari ishte rrëzuar në rrugë pasi ishte i dehur dhe për pasojë kishte humbur jetën.
Por si qendron e vërteta e kësaj deklarate?
Nëse hulumton raportimet e para mbi ngjarjen, në të vërtetë nuk është policia ajo që thotë se “42 vjecari u rrëzua nga alkoli dhe për pasojë humbi jetën”, por vetë media online.
Kështu, mediat online i janë referuar burimeve nga terreni për informacionet e para mbi ngjarjen që thoshin se 42 vjecari ishte rrëzuar.
Më joprofesional është fakti që në titujt e tyre, mediat online kanë cituar në emër të policisë informacionin “për një të dehur”.
Konkretisht titulli: “Ndërron jetë 42 vjeçari pasi u rrëzua në tokë, Policia: Ishte në gjendje të dehur”
Nëse sheh artikujt që mbajnë këtë titull, kupton se sa abuziv është raportimi në fjalë, sepse në tekst nuk ka asnjë reagim/ qëndrim apo njoftim zyrtar nga policia që të thotë se “42 vjecari ishte në gjendje të dehur”.
Pra mediat, që kanë shpërndarë pothuajse të njejtin tekst, e kanë pasur fjalën për burimet e tyre paraprake, dhe jo për një njoftim zyrtar të policisë.
Në këtë mënyrë dhe më këtë titull abuziv, mori udhë e pavërteta se “policia kishte gënjyer duke e raportuar ngjarjen si rrëzim nga alkoli”, duke krijuar edhe më shumë paqartësi mbi ngjarjen.
Ja cfarë shkruanin mediat:
Një person në gjendje të dehur është rrëzuar, duke pësuar dëmtime në fytyrë e për pasojë ka ndërruar jetë. Burime pranë spitalit bashkiak të Pogradecit bëjnë të ditur se shtetasi 42 vjeçar, Eglantin Proga pasi mbërriti në spital, pavarësisht ndërhyrjes ka gjetur vdekjen.
Ngjarja mësohet të ketë ndodhur në vendit të njohur si “Agjencia e Autobusëve”. Policia në vendin e ngjarjes ka pyetur personat e ndodhur në ato momente, ku të gjithë kanë deklaruar për uniformat blu se 50 vjecari në gjendje të dehur është rrëzuar.
Përkundër nga sa kanë shkruar portalet në 10 gusht, Policia e Shtetit në deklaratë zyrtare njoftoi se gjatë konfliktit, 42 vjecarit i ishin shkaktuar dëme me pasojë vdekjen dhe se autori i dyshuar ishte në pranga.