Dy astronautët amerikanë të NASA-s, Barry “Butch” Wilmore dhe Sunita Williams, kanë ngecur në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës. Ata u nisën për një udhëtim të shkurtër në Hapësirë më 5 qershor për 8 ditë, por gjërat nuk shkuan siç ishte planifikuar. Dyshja janë duke fluturuar lart mbi Tokë edhe pas 2 muajsh.
Wilmore, 61 vjeç dhe Williams, 58 vjeç, fluturuan me një anije kozmike “Boeing Starliner” në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës. Ky ishte fluturimi i parë i këtij lloji, me njerëz në bord dhe u zhvillua si një provë për të parë se si funksionon anija e re kozmike përpara se të përdoret më rregullisht. Problemet, megjithatë, u shfaqën kur do të ktheheshin në Tokë. U shfaqen rrjedhje në sistemin e shtytjes së anijes dhe mbylljen e disa prej shtytësve të tij.
Pra edhe pse arritën në stacionin hapësinor të sigurt, ata do të kenë nevojë për një mënyrë alternative transporti për t’u kthyer në shtëpi nëse Starliner nuk konsiderohet i sigurt për t’u kthyer në Tokë.
Në një konferencë shtypi të mërkurën, zyrtarët e NASA-s thanë se nuk ishte marrë asnjë vendim për hapat e ardhshëm.
“Objektivi ynë kryesor është të kthejmë Wilmore dhe Williams në Starliner. Megjithatë, ne kemi bërë planifikimin e nevojshëm për t’u siguruar që kemi opsione të tjera të hapura”, tha Steve Stich, menaxher i Programit Commercial Creë të NASA-s.
Një opsion i mundshëm që po shqyrtohet është kthimi i dy astronautëve në një mision që është planifikuar të nisë në shtator dhe do të kthehen në shkurt 2025. Fluturimi drejt stacionit hapësinor do të bëhet nga një anije SpaceX Crew Dragon. Plani fillestar ishte që katër anëtarë të ekuipazhit të ishin në bord, por dy nga vendet mund të lihen bosh nëse është e nevojshme.
Kështu astronautët do të kalojnë më shumë se tetë muaj, në vend të tetë ditëve që kishin planifikuar në bordin e Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës (SNH). Nëse përdoret Crew Dragon, anija Starliner do të kthehet në Tokë pa asnjë ekuipazh, nën kontrollin e kompjuterit. Zyrtarët e NASA-s thanë se mund të duhet një javë ose më shumë që të merret një vendim përfundimtar.