Një aksident ka ndodhur në zonën D në minierën e Bulqizës. I plagosur ka mbetur një 33-vjeçar për shkak të shembjes së një masivi gurësh brenda në galeri.

Sipas informacioneve, minatori Naim Alla ka qenë në frontin e punës teksa është goditur nga masivi i gurëve. Ai është nxjerrë jashtë galerisë nga kolegët e tij dhe është transportuar për të marrë ndihmën e parë në spitalin e Bulqizës.

Mësohet se bluzat e bardha të këtij spitali kanë kërkuar transportimin me helikopter drejt Tiranës për shkak të gjendjes së rëndë. Ndërkohë grupi hetimor ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e vërteta të aksidentit në punë të 33 vjeçarit.