Aktivistët e klimës “morën peng” 4 aeroporte në Gjermani, duke bërë që të pezullohen përkohësisht disa fluturime gjatë mëngjesit të sotëm. Ata hyrën në disa aeroporte dhe vendosën pengesa në pistën e avionëve. Organizata Last Generation njoftoi se tetë nga aktivistët e saj kishin pezulluar ose kufizuar aktivitetin e fluturimit në aeroportet në Berlin, Këln/Bon, Nuremberg dhe Shtutgart dhe publikuan foto të aksionit.
Aeroporti i Nurembergut, sipas një deklarate në Facebook, pezulloi fluturimet për rreth një orë për shkak të aktivistëve. Gjashtë fluturime u vonuan, një u anulua dhe një tjetër u devijua në një aeroport tjetër.
Në aeroportin e Këlnit fluturimet filluan të funksionojnë normalisht pas orës 08:25, pas disa orësh pezullim, ndërsa në një deklaratë autoritetet njoftuan se do të ketë vonesa ose devijime.
Ndërsa në aeroportin e Berlinit, policia arrestoi dy persona që hyrën në zonën e kontrollit të sigurisë së aeroportit, por nuk ndikuan në aktivitetin e fluturimeve.
Në aeroportin e Shtutgartit, sipas një deklarate nga kompania e menaxhimit të tij, aktiviteti i fluturimit nuk u prek pasi dy personat që bllokuan pistën e avionëve, u arrestuan menjëherë nga policia.