Përgjigja e Iranit për vrasjen e liderit të Hamasit, Ismail Haniya, ndaj Izraelit mund të ndodhë nesër ose të premten. Kështu raporton rrjeti shtetëror saudit i informacionit Al Arabiya.
Periudha e pritjes për hakmarrje po zgjat më shumë sesa pritej fillimisht nga SHBA, sipas burimeve të njohura me inteligjencën amerikane. Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, së bashku me zyrtarë të tjerë, paralajmëruan të dielën dhe të hënën se sulmi do të vinte brenda 24 orëve, por deri më tani asnjë veprim nuk është ndërmarrë as nga Irani, e as nga Hezbollahu.
Irani dyshohet se është në pritje të përfundimit të samitit të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik në Jeddah të Arabisë Saudite, ku do të diskutohet përgjigja e pritshme ndaj Tel Avivit.
Zyrtarët amerikanë po përpiqen të përcaktojnë natyrën e reagimit të Iranit dhe nëse do të ketë veprime të koordinuara me Hezbollahun ose milicitë e tjera irakiane ose jemenase. Në krahun tjetër, lideri i Hezbollahut, Hassan Nasrallah ka deklaruar tashmë se Irani dhe Hezbollahu do të përgjigjen me vendosmëri duke lënë të hapur mundësinë e një sulmi të koordinuar në shkallë të gjerë dhe në fronte të shumta.
Izraelitët sakaq i frikësohen arsenalit të Hezbollaut, pasi besohet se organizata ka një numër të madh raketash të drejtuara dhe precize, të cilat nuk i ka zbuluar që nga tetori, së bashku me raketat tokë-ajër dhe lloje të tjera raketash dhe dronësh.
Thuhet se madhësia e arsenalit të raketave po shqetëson amerikanët më shumë sesa llojet e ndryshme të armëve që posedon organizata terroriste.
Al Arabiya gjithashtu raporton se burimet amerikane në fjalë besojnë se mund të ndihmojnë Izraelin të ndal shumicën e raketave ose dronëve që do të lëshohen nga Irani dhe milicitë mbështetëse, megjithëse një konflikt i zgjatur me Hezbollahun do të përbënte një sfidë më vete.