Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, të premten, në selinë e partisë në Tetovë, ka pritur ambasadorin e Bulgarisë në Shkup, Angel Angelov, me ç’rast është diskutuar edhe klima politike aktuale në Maqedoninë e Veriut.
Gjatë takimit, siç thuhet në një komunikatë për media, Ahmeti i ka cilësuar si “sajesa inezksistente” deklarimet e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, për skenar për destabilizim.
“BDI e ka dëshmuar kontributin për stabilitet dhe siguri dhe kundërshton çdo tentativë inskenuese politike për destabilizim dhe fton shqiptarët dhe të tjerët mos të bien pre e provokimeve të qeverisë pa legjitimitet etnik”.
Në takim Ahmeti e Angelov ndër të tjera kanë këmbyer mendime rreth Korridorit 8, rrugor dhe hekurudhor, ndryshimet kushtetuese, Marrëveshjeve kyçe të shtetit, atë të Ohrit, të Prespës dhe të fqinjësisë së mirë me Bulgarinë.
“Gjithashtu, z. Ahmeti foli për aktivitetet që do ti ndërmerr BDI dhe Fronti Evropian në mbrojtje të legjitimitetit që nga muaji shtator në takime me qytetarë”, shton komunikata.