Trajneri i Realit të Madridit, Karlo Ançeloti ka dhënë një intervistë për “realmadridtv” pak ditë para finales së Superkupës së Europës kundër Atalantës. Më 14 gusht, në Varshavë, Reali i tij do të kërkojë një tjetër trofe. Përveç Superkupës, italiani ka folur edhe për ardhjen më të re të Realit, Kilië Mbape dhe për të ardhmen e “Los Blancos”, duke parashikuar një dominim afatgjatë të Madridit.
“Të gjithë e dimë se kush është Reali i Madridit dhe çfarë përfaqëson ky klub. Këtu në Madrid është gjithmonë një sfidë. Unë jam në anën e mirë, në një klub të madh, në një ekip të madh me lojtarë të mëdhenj”.
LIGA E KAMPIONEVE – “Marrëdhënia ime me Ligën e Kampioneve është e veçantë, është spektakolare. Më ka dhënë shumë kënaqësi. Më ka dhënë shumë sukses, padyshim dhe pak zhgënjim. Siç thuhet, nuk mund të fitosh gjithçka, por e vërteta është se Liga e Kampionëve më ka dhënë më shumë se sa unë i kam dhënë asaj”.
SUPERKUPA E EUROPËS – “Do të jetë e ndërlikuar, si gjithmonë, sepse është fillimi i sezonit, lojtarët kanë pasur pak kohë për t’u përgatitur për këtë ndeshje dhe nuk i kanë 90 minutat nën këmbë. Por ne jemi Reali i Madridit dhe shkojmë me gjithë besimin dhe bindjen, duke marrë parasysh vështirësinë. Mendoj se Atalanta e meriton për të qenë në këtë finale, sepse ata bënë një rrugëtim t shkëlqyer në Ligën e Evropës. Ata janë një ekip që ne i respektojmë shumë, por shpresojmë të bëjmë sa më mirë që të jetë e mundur dhe të kthehemi me trofeun me vete në Madrid”.
MBAPE – “Para së gjithash, Kilië do të sjellë cilësinë e tij, përveç karakterit dhe seriozitetit të tij. Në Madrid të gjithë janë shumë të lumtur që ai është këtu. Besoj se e njëjta gjë vlen edhe për të. Tifozët, klubi, lojtarët, shokët e tij, të gjithë jemi shumë të kënaqur që ai është këtu, ne jemi të sigurt se ai do të bëjë shumë mirë dhe do të na japë një dorë më shumë në arritjen e objektivave që kemi”.
GYLER DHE ENDRIK – “Janë të dy lojtarë që më pëlqejnë. Arsyeja është thjeshtë dhe nuk po ndalem te aftësitë teknike e fizike të të dyve. Ajo që më pëlqen është se duan të mësojnë dhe mësojnë shpejt. Të dy janë shumë të vëmendshëm ndaj udhëzimeve, duan të rriten dhe të përmirësohen. Këto janë bazat për çdo futbollist që dëshiron të bëhet dikush”.
TË RINJTË – “Është e habitshme në fakt të mendosh që Vinicius nuk konsiderohet një i ri, që Rodrigo nuk konsiderohet një i ri, që Bellingam nuk konsiderohet një i ri, Kamavinga po ashtu. Ne kemi një ekip të ri me shumë të ardhme. Varet prej tyre, nga aftësia e tyre për t’u bashkuar si grup dhe për të ndërtuar një grup të fortë”.