Ambasador i Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar, Uran Ferizi, ka reaguar ndaj medias britanike “The Sun” në lidhje me një artikull rreth urdhër-arresteve të lëshuara së fundmi nga SPAK. “The Sun” ka shkruar për hetimet dhe urdhër arrestet e lëshuara nga SPAK ndaj një grupi kriminal specializuar në dërgimin e armëve nga Shqipëria në Angli. Në rrjetin social “X” ambasadori Ferizi shkruan:
“Një titull mashtrues nga The Sun. Lavdërime policisë shqiptare për këtë në udhëheqjen dhe menaxhimin e këtij operacioni me ndihmën e SPAK dhe NCA ( Agjencisë Kombëtare Britanike kundra Krimit). Ja ku e keni një titull më të mirë. Policët trima shqiptarë sekuestrojnë armë të tmerrshme të destinuara për gangsterët djallëzor në Londër“.
Ky reagim vjen pas shkrimit të “The Sun”, të editorit të çështjeve ndërkombëtare Nick Parker, i cili i bën jehonë hetimit një vjeçar të prokurorit të SPAK, Adnan Xholi, dhe BKH, finalizuar me 4 urdhra arresti të ekzekutuar nga Policia e Shtetit. Ndërkohë janë lëshuar edhe tre urdhra arresti të tjerë për anëtarët e këtij grupi, të cilët mendohet se janë në Britaninë e Madhe.