Jasir Asani duket se e ka nisur gjithçka nga e para me skuadrën e Guangju në kampionatin e Koresë së Jugut. Pasi ka vendosur që të qëndrojë te kjo skuadër, edhe për shkak të kontratës që ka deri në fundin e vitit të ardhshëm, Asani po bën maksimumin në fushën e lojës që të luajë rregullisht e të jetë në formën më të mirë.
Kështu, për të dytën ndeshje radhazi, ai ka gjetur rrugën e rrjetës për skuadrën e tij në kampionatin korean. Në ndeshjen e sotme në transfertë ndaj Ganguon që kryeson tabelën, ishte pikërisht sulmuesi i kombëtares shqiptare ai i cili i dha avantazhin ekipit të Guangju.
Asani shënoi me penallti në minutën e 15 të ndeshjes së sotme, duke i dhënë kësisoj avantazhin ekipit të Guangju, ku ai është kthyer në elementin kryesor të sulmit të skuadrës koreane e cila lufton për t’u ngjitur në zonat më të larta në klasifikim.