Sali Berisha dhe Lulzim Basha janë fajtorët kryesorë, që opozita ndodhet aktualisht në udhëkryq. Kështu u shpreh Roland Bejko, gjatë diskutimit në studion e “Tirana Live”, me gazetaren Elisa Gjerani në ABC News.
Ai theksoi se ish-kryeministri Sali Berisha nuk mund të konsiderohet më zgjidhje, por pjesë e problemit të opozitës. Sipas tij, fakti që opozita ka patur si drejtues njerëz të gabuar, kjo e ka vrarë shpresën dhe nuk ngjall më besim tek votuesit shqiptarë.
Ai theksoi se me ndryshimet e bëra në Kodin Zgjedhor, fitues i zgjedhjeve parlamentare të 2025 është përsëri Partia Socialiste.
“Me firmosjen e marrëveshjes që bëri Berisha me Ramën, në lidhje me ndryshimet në kodin zgjedhor dhe fituesi i zgjedhjeve në 2025 dihet, fituesi është Edi Rama. Berisha atë që e deshi e mori; të ishte patriarku i opozitës, i parë i opozitës. Humbësit më të mëdhenj janë demokratët dhe mbi të gjitha humbësit më të mëdhenj janë të gjithë shqiptarët, sepse s’ka opozitë. Ka një dekadencë dhe konsum moral, që nuk prodhon alternativë dhe kjo është dramë për demokracinë shqiptare. Berisha është duke bërë teatër. Ai është aktor që nuk lodhet. Berisha është ai guri i madh që ka rënë në mes të rrugës dhe ka penguar karvanin e opozitës për të shkuar drejt fitores. Berisha është problemi dhe nuk është zgjidhja. Nuk përbën shpresë tek shqiptarët, por arsyeja kryesore e tij, është e shkuara e tij. Koha politike e ka konsumuar atë. Me Berishën nuk shkohet dot në pushtet. Basha është fajtor sa edhe Berisha dhe po aq përgjegjës për opozitarizmin shqiptar. Ata e kanë çuar opozitën dhe PD në këtë ditë, që nuk është funksionale dhe për këtë nuk është alternativë pushteti. Largimi i tyre do të jetë zgjidhja”, tha ai.
Ai shtoi se në këto kushte, qytetarët shqiptarë kanë nevojë urgjente për të themeluar një parti të re politike, e cila të jetë ndryshe në vlerë dhe veprime nga partitë aktuale.
“Demokracia shqiptare ka nevojë për një forcë urgjente politike të re, ndryshe nga forcat politike që janë aktualisht. Janë një grup qytetarësh, politikanësh, qe kanë marrë përsipër këtë nismë dhe i kanë të gjitha ambiciet për ta çuar atje ku duhet, për të krijuar një formacion të ri politik.”, theksoi ai.
Sipas Bejkos, Lulzim Basha e ka humbur trenin e mundësive politike. Ai theksoi se Basha duhet të merrte valixhet dhe largohej, menjëherë pasi humbi betejën e vulës në Gjykatën e Apelit.
“Në momentin që humbi vulën duhet të jepte dorëheqjen dhe të largohej. E ka humbur trenin”, tha ai.