Kreu i qeverisë po shijon pushimet në jug. Megjithatë ai nuk ngurron të ndajë copëza nga dita e tij në rrjetet sociale. Së fundmi, Rama është takuar në Himarë me ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja.
Mes batutash Rama thotë se do të vijë koha kur Dibra do të jetë më afër Tiranës krahasur me Vlorën.
Rama: Në Livadh, Himarë, beteja e tuneleve mes Murrizit dhe Llogarasë, ku dibrani në krahun tim i thotë vlonjatit në pasqyrën e ajfonit, “Gzoju për verë me tunelin 2 or ka Tirona, se erdh 31 dhjetori e do t’marr n’Dibër t’shofësh ça osht gzimi dimrit nji or larg Tirone.
Tuneli i Llogarasë u hap për qarkullim më 5 korrik 2024 dhe pritet që të lehtësojë ndjeshëm trafikun drejt jugut të Shqipërisë. Ky tunel, me gjatësi 6 km dhe shpejtësi maksimale të lejuar 80 km në orë, shkurton distancën nga Dukati në Palasë, nga 30 minuta në 7-8 minuta. Ndërkohë, nga Vlora në Palasë që nëse dikur bëhej për 1 orë, tashmë ajo do realizohet për 20 minuta.
Sakaq, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, ka njoftuar më herët se me shumë gjasa deri në fund të dhjetorit do të ketë përfunduar tërësisht Rruga e Arbrit, e cila pritet të shkurtojë distancën nga kryeqyteti me Peshkopinë, në më pak se 2 orë.