Policia ka vënë në pranga Adriatik Kalemin, pasi gjatë një kontrolli për autorin e vrasjes së Edmond Papës i janë gjetur armë në banesë. Kalemi, i cili iu ka shpëtuar disa atentateve brenda dhe jashtë vendit, është vënë në pranga pasi gjatë kontrolleve në banesën e tij, policia ka gjetur arsenal armësh.
Njoftimi i policisë: Operacioni ka vijuar në Memaliaj, duke kryer kontroll në banesën e shtetasit A. K.. Gjatë kontrollit, shërbimet e Poclicisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri automatike, 1 armë gjahu, 1 gjerdan fishekësh, fishekë luftarak, 2 silenciatorë, 1 jelek antiplumb, 40 145 euro, 438 550 lekë të rinj dhe 3470 dollarë.
Shtetasi A. K., 52 vjeç, u arrestua në flagrancë për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
Megaoperacioni “Sundimi i ligjit” vijon.
Kalemi, ka një dosje të mbushur në policinë shqiptare, ndërsa përfshirja e tij në veprimtari kriminale daton që në vitin 2001. Ai u arrestua në një operacion ku morën pjesë edhe forcat RENEA, pasi ishte shpallur në kërkim për vrasje nga autoritetet belge. Kalemi akuzohej se në bashkëpunim me vëllain e tij, Fatmirin, kishte vrarë vëllezërit shqiptarë Mevlan dhe Adriatik Çaça. Kjo ngjarje e rëndë ka ndodhur në Anderleht më 13 Prill 2001.
Pas 16 vitesh, në 2017-ën ai u arrestua sërish. Së bashku me 2 persona të tjerë, duke qenë të dehur, kundërshtuan punonjësin e policisë. Një person i katër që ishte me ta goditi me shufër hekuri në kokë policin.
5 vite më vonë, atij i ekzekutuan nipin e tij, Aleksandër Sadikajn. Atentati ndodhi pranë rrethrrotullimit të TEG-ut, ndërsa për vrasjen e Sadikaj u përdor shpërthimi me eksploziv në distancë, një prej ngjarjeve më të rënda për nga mënyra e ekzekutimit në Shqipëri.
Disa muaj më vonë, në Tiranë u ekzekutua biznesmeni Edmond Papa. Kjo vrasje ndodhi si shenjë hakmarrjeje për vrasjen e Sadikajt. Për vrasjen e Papës dyshohet se kanë marrë pjesë dy shokët e Andrea Kalemit. Albano Velo u arrestua, ndërsa tjetri, Andrea Bode është shpallur në kërkim.
Prokuroria ka dalë në rezultatin se Andrea Kalemi ka lidhje të ngushta shoqërore me Velon dhe Boden. Ata kanë pasur dyshime të vazhdueshme se vrasja e të riut Sadikaj u organizua në Sarandë, pikërisht në hotelin e Edmond Papës.
Ndërkohë që në Janar të këtij viti, një tjetër ngjarje e rëndë synonte eleminimin e një tjetër anëtari të familjes Kalemi. Bëhej fjalë për vëllanë e Andrea Kalemit, Zamirin, i cili i shpëtoi një atentati ndërsa ishte duke udhëtuar me mjetin e tij tip smart në afërsi të zonës së Selitës në Tiranë. Zamir Kalemi mbeti i plagosur por fatmirësisht pa pasoja fatale për jeten.