Shqetësimet për një shtrirje të konfliktit në Europën Lindore u shtuan ndjeshëm pas sulmit të befasishëm të Ukrainës në Kursk të Rusisë, por pas lajmit se tani duket se mund të hyjë në lojë edhe Bjellorusia, aleate e ngushtë e Putinit, e cila deklaroi se ka lëvizur një numër të madh njësish në kufirin e saj me Ukrainën.
Sipas the Guardian, Minsku ka vendosur pothuajse një të tretën e forcave të tij të armatosura përgjatë kufirit.
Numri i saktë i trupave nuk u specifikua, por ushtria profesionale bjelloruse përbëhet nga 48,000 ushtarë dhe rreth 12,000 roje kufitare, sipas Bilancit Ushtarak të Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike për vitin 2022. Ukraina ndërkohë ka më shumë se 120,000 trupa në kufirin e saj me Bjellorusinë.
“Duke parë politikën e tyre agresive, ne kemi pozicionuar ushtrinë tonë në vende të caktuara përgjatë gjithë kufirit”, tha Lukashenko në një intervistë me TV shtetëror rus.
Kievi nuk i është përgjigjur ende një kërkese të Reuters për koment, edhe pse më herët u shpreh se nuk ka parë shenja të shtimit të pranisë së trupave bjelloruse në kufi.
Të premten, ministri bjellorus i mbrojtjes Viktor Krenin qe shprehur se ekziston një mundësi e madhe e një provokimi të armatosur nga Ukraina dhe se situata në kufirin e tyre të përbashkët “mbetet e tensionuar”.
Lukashenko vetë deklaroi se kufiri bjelloruso-ukrainas është i minuar si kurrë më parë dhe se trupat ukrainase do të pësonin viktima të mëdha nëse do të përpiqeshin ta kalonin atë.