Kam lindur më 23. 12. 1951, në muajin e zi, të kohës së zisë, nën regjimin më të zi komunist. Më 23 shtator të vitit 1968, krye-hetuesi sadist, Llambi Gegeni, hetuesi xhahil Shyqyri Çoku dhe prokurori mizor, Thoma Tutulani, më sakatuan në Degën e Punëve të Brendshme në Shkodër, më çanë kokën, më qorruan njërin sy, më shurdhuan njërin vesh, mbasi më thyen disa brinjë, gjysmat e dhëmballëve dhe gishtin e madh të dorës së majtë, më 23 tetor 1968, më çuan në gjykatë, ku mjerani Faik Minarolli, më dha një dhjetëshe burg politik. Pasi më prenë gjysmën e dënimit, sepse isha ende minoren, gjashtëmbëdhjetë vjeçar, më 23 nëntor 1968, më shpunë në kampin politik të Repsit dhe prej atje, më 23 shtator 1970, në kampin e Spaçit, ku më 23 maj të vitit 1973, në revoltën e të dënuarve politikë, u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan me pushkatim, katër martirë; Pal Zefi, Skënder Daja, Hajri Pashaj dhe Dervish Bejko.
Më 23 qershor 2013, humbi zgjedhjet Partia Demokratike, proces më se normal në demokracinë që mëtojmë. Por më 23 tetor 2013, Drejtori i Përgjithshëm i Qeverisë rilindase, dërgoi urdhrin Nr. 2203, datë 23.10.2013, për; Lirimin nga detyra të një punonjësi policie. Pra Providenca Hyjnore, u pleks me Providencën rilindase neokomuniste dhe, pikërisht më 23 më zëvendësuan, as më pak e as më shumë, po me ish-operativin e Sigurimit të Burgut të Burrelit. Ku do kishte më domethënëse se kaq?! Ish-i burgosuri politik, zëvendësohet nga ish-persekutori!
R E P S I
(Kampi i punës së detyruar)
Memuaristikë
Takimi i parë
(Varka e mbytur në stere)
Në zonat periferike ku kryheshin ekzekutimet, banorë të atyre anëve kish rastisur shpesh, t’i gjenin këta fatzinj pas rënkimeve, ende pa u dalë xhani, gjysmë-gjallë apo të xhallavitur copra-copra nga bishat. Nëse qëllonte ndonjë shpirtmirë i ri groposte për sevap, të tjerët i mbulonin me dhe që të mos përhapeshin sëmundje infektive. Por pati edhe nga ata që kur i njihnin, në fshehtësi ua dorëzuan familjarëve. Për këto makabritete, pëshpëritej qysh atë kohë, po sidomos pas viteve nëntëdhjetë, kur njerëzia e zgjidhën gjuhën dhe flisnin ashiqare. Ka dhjetëra raste të dokumentuara nga zhvarrimet, me filmime dhe ato, kur eshtrat janë gjetur të kryqëzuara me tela me gjemba dhe zinxhirë lopësh. Më keq akoma, janë gjetur gjysma skeletesh, eshtra pa koka e koka pa eshtra!
Në krye të këtij kapitulli, fola shkurt për shkaqet e vdekjeve në burgje. Tani do tregoj disa raste konkrete, ashtu si m’i kanë rrëfyer miqtë që kanë asistuar dhe ato që kam parë më sytë e mi. Për rastin e vdekjes natyrale, fola disi, rasti tjetër i përket një vdekjeje për shkaqe banale, për kurim të munguar. Ditën që u njoha me Hashim Toplicën, kur mori vesh se isha nga Berati, pyetja e parë që më drejtoi lidhej me një emër të përmendur njëmijë herë ë bisedat familjare. – “A e ke njoh avokat Estref Myftiun”? – më pyeti Hashimi. – “Jo! – iu përgjigja prerë. – Kam dëgjuar të përflitet shumë, po vet s’kisha nga t’a njihja, kur e dënuan atë unë s’kisha lindur”.
– “Më fal! E drejtë, s’ke pas kah me e njoh, ka kenë nga të arrestuarit e parë të mbas lufte”! – heshti pak, frymë-mori thellë, pastaj vazhdoi: – “E kam pas shoq në burgun e Burrelit, ka kenë nga burrat ma të zgjuet dhe ma të urtë që kam njoft në këtë jetë. Po më ka mbet enigmë, mënyra si asht shue ai rob. E kan eleminue për tri ditë! Ka dek nga apendesiti apo, nji ngatërrim zorrësh, askush s’e mori vesh tamam! – A e din si ka ndodh”? – heshti sërish, kur unë s’iu përgjigja, vazhdoi:
– “Na, atje në burg, kena pas doktorin, ma me nam në Shqypni, Isuf Hysenbegasin, mjek i njoftun ene n’Evropë. Ai ishte specialist i pakonkurrueshëm, po n’mungesë t’mjeteve për ndërhymje kirurgjikale, ishin lidh durt. Në rastin e avokatit, kur duhej me e operue patjetër, ai mbeti i pafuqishëm. Doktori e konstatoi menjëherë dhe ka insistua me dëshpërim, pranë komandës së burgut, për m’e nis sa ma parë në një sallë kirurgjie. Mirëpo komanda, me paramendim apo jo, ç’rëndësi ka kjo, e vonuen dhe kur mbas tri ditësh e çuan në spital, pacienti ishte në grahmat e fundit dhe ndërhymja s’pati sukses, ai vdiq”.
– “Vdiq i helmuem”? – “Jo! Vdiq i vramë, or bir! Ani pse s’e vranë me plumb pushkët, e vranë me mos mjekim në kohë! Ndoshta ia kishin paracaktue me dek brenda në burg, mbase po t’i delte i gjallë, me imazhin e tij prej Krishti të përvujtun, iu prishte punë! Kur doktori mësoi vdekjen e mikut të vet më të afërt, i dëshpëruen në kulm ka klith: – ‘Edhe me thikën e kuzhinës ta kisha operuar, Estrefin do ta kisha shpëtuar! Jam fajtor për vdekjen e tij’! Natyrisht, s’ishte fajtor doktori, ai bëri gjithë ç’mundi, me iu gjind avokatit, siç kishte ba për qindra të tjerë që nëse vazhdojnë me frymue ende, duhet me ju falë nderës atij, doktor Isufit”! – e mbylli ai rrëfimin.
* * *
Për një rast tjetër, të ngjashëm me të parin, më tregonte miku im Osmar Kazazi: “Në fillim vitet pesëdhjetë, burgjet politikë ishin mbipopulluar së tepërmi, mijra e mijra të pafajshëm dergjeshin në kaushe. Intelektualët të pamësuar me punë krahu, parapëlqenin më mirë ambientet e mbyllura të burgut, se kampet e lemerishme të punës, ku iu duhej të përballonin ngarkesa të lodhshme fizike, për të cilat s’kishin as takat dhe as moshë.
Kështu, pjesa dërrmuese e tyre, me vetëdashje preferonin izolimin në burgje, me gjithë të këqijat e panumërta që iu duhej të përballonin atje, vetëm t’i shpëtonin baltës dhe shushunjave gjakpirëse, në këneta dhe kanalet kulluese e vaditëse. Në kaushe, të paktën ndiheshin më të lehtësuar sepse, kishin mundësi të merreshin me libra dhe studime. Një nga këta intelektualë, që kish vet zgjedhur izolimin si mënyrë mbijetese, ishte edhe ish-ministri i Arsimit i kohës më të ndritshme të Mbretërisë, profesori i shquar, Mirash Ivanaj.
Profesor Ivanajn e dënuan, nën ndikimin direkt të Enver Hoxhës, mbas një takimi aspak miqësor me të. Shkaku ishte fare i qartë; në vitet tridhjetë, kur ishte ministër Arsimi, i kishte prerë bursën studentit dështak, Enver Hoxha, për mungesë rezultatesh. Ngaqë diktatori i mëvonshëm, s’do t’a kapërdinte dot fyerjen e dikurshme, s’do t’ia falte kurrë profesorit këtë fakt. Me të marrë pushtetin, zgjodhi hakmarrjen primitive, pasojat e së cilës do ishin të paimagjinueshme.
Tashmë që ndërruan rolet dhe ish studenti hipokrit, ish bërë kryetar shteti, natyrisht me levat që zotëronte do ta çonte në zgrip jetën e ish-ministrit të suksesshëm. Do t’i qepte si hije njerëzit e tij, që gëlonin ngado, po ta kllaposnin në burg dhe pak muaj para lirimit, inskenuan apo stimuluan një komplikacion zorrësh, shkaktuar nga helmimi (gojët e liga pëshpëritnin se kishin përdorur çianur), ose ushqim të kontaminuar, apo aplikuan qëllimisht mjekimin e pakujdesshëm, gjë që gjithsesi e çoi eruditin në fundin e pashmangshëm, vdekjen e parakohshme.
Kështu e pësoi secili që rrezikonte famën e udhëheqësit të madh, përjashto puthadorët që i bënin hosana dhe i krihnin bishtin me lajka. Kësaj metode, ngaqë e praktikuan në shumë bashkëqytetar, bashkënxënës dhe bashkëluftëtarë të diktatorit që përfunduan, o të ekzekutuar në litar e plumb, o të zhdukur pa adresë, o i eliminuan spitaleve, pa diagnoza të qarta; për të vetmin faj se kishin patur fatin e keq, të kryqëzoheshin udhëve të jetës me të apo, thjeshtë se kishin dijeni për veset e viteve të rinisë së tij, i doli boja shpejt. Për këto hynere, në burgje ishte zgjidhur gjuha, flitej hapur.
Sipas statistikave zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe Ministrisë së Drejtësisë, të publikuara mbas viteve nëntëdhjetë, rezultojnë 987 persona të vdekur në burgje, pa llogaritur 5.548 të pushkatuarit, shto edhe 308 të shtruarit në spitalet psikiatrike, rrjedhimisht edhe këta të vdekur në mënyrën më mizore, me zhvirgjërim mendor. Numër tepër i konsiderueshëm, për një popull njëmilionësh! Natyrisht format e përdorura nga sigurimi i shtetit për zhdukjen e elementëve të konsideruar armiq të pushtetit të tyre kriminal, qysh nga dita e krijimit të kësaj organizate gjakatare, më 20 mars 1943 dhe deri më 2 korrik 1991, kur u shkri me ligj nga parlamenti i dalë prej zgjedhjeve të ?ara pluraliste, kishin ardhur në përsosje e sipër.
Shumëllojshmëria e torturave që përdorën njerëzit e Sigurimit ndaj kundërshtarëve të regjimit, e kapërcyen ku e ku inkuizicionin. Mbështetur në hulumtimet e historianit Uran Butka, ato e kalojnë numrin njëzet e pesë; po s’jam i sigurt sa i saktë është ky pohim. Gjithsesi, sipas asaj që më kanë rrëfyer miqtë e mi të burgjeve, po dhe me ç’kam parë vetë, ky numër më duket mjaftë i reduktuar. Për këdo që ka kaluar kalvarin e hetuesisë komuniste, e ka fare të lehtë të nxjerrë konkluzione, ngaqë çdo hetues dhe polic, mund të shpikte dhe të aplikonte lloje torturash, krejt origjinale, të panjohura dhe të palançuara më parë, në ndonjë doracak udhëzues. Askush s’mbante shënime dhe s’kërkonin hesap për humbjen e jetës së një të burgosuri politik, ndaj gjithkush mund të sajonte një mundim të ri, të papërdorur asnjëherë.
Për të dalë me një konkluzion të saktë, për numrin e torturave, duhen pyetur një nga një gjithë punonjësit e zinxhirit kriminal të Ministrisë Brendshme, që nga drejtuesit, deri te policët e thjeshtë të burgjeve, po njëkohësisht duhet të ringjallen gjithë të vdekurit, që i hoqën mbi shpinë këto mysybete. Edhe pse në këtë kapitull, nuk synoj të flas për torturat, po për shkaqet që shpinin në vdekje, dashje pa dashje, si pjesë integrale e makinerisë së dhunshme, që çoi drejt gropës, dhjetëra fatkeq, po i përmend shkarazi.
Jo domosdoshmëritë vdekja e dhunshme, mund të shkaktohej nga vet dhunuesit, sepse shpesh i dhunuari zgjidhte si shpëtim, largimin me vetëdashje nga kjo dynja, si mjetin e vetëm që zotëronte, për t’iu shpëtuar turpit dhe dhunës së mëtejshme. Ngjarjen e mëposhtme, ma ka treguar miku im i vjetër i burgjeve dhe pas burgut, Bajram Danushi. Në vitet 1949-1951, Bajrami gjendej i arrestuar në burgun e Gjirokastrës. Vrimat e vdekjes në kështjellë, qysh nga koha e Ali Pashait, nuk funksiononin më si burg, po për njëqindepesëdhjetë vjet, qenë shndërrua në muzeum, ku iu deklamonin brezave barbarizmat e pashembullta që, pashai gjakatar i Janinës, kish ushtruar ndaj kundërshtarët e vet.
Në mes-vitet dyzetë, komunistët xhahilë e rikthyen sërish në origjinë, domethënë e shndërruan në burg. Ndrynë aty kundërshtarët e tyre politikë, të zonave rreth e qark, si nga Delvina, Vlora, Tepelena dhe veçanërisht nga fshatrat rebele të Picarit, Lazaratit, Libohovës dhe gjithë krahinës së Kurveleshit e të minoritetit. Kështu, kapaciteti mbajtës i birucave nga një apo dy persona, që ish projektuar së pari nga konstruktori, tashmë ishte tejkaluar me pesë a gjashtë, deri në dhjetë vetë. Merret me mend, ç’mjerim zotëronte nën at kube të akullta në dimër dhe mbytëse në behar; në pesë metër katror, gjallonin bashkë, të dënuar dhe të paraburgosur politikë, minj, lakuriqë nate, gjarpërinj…, sepse ordinerët i trajtonin më njerëzisht.
Aty nga pesëdhjetenjëshi, në qelinë ku gjendej Bajrami, sollën një vlonjat rreth të tridhjetave, që me tradhti, ende pa i zënë këmbët tokë, kish rënë në duart e komunistëve. Ishte koha kur Sigurimi i Shtetit triumfonte mbi desantët nacionalistë, në saj të lojës së ndyrë të Kim Filbit, agjentit të K.G.B.-së, i infiltruar në radhët e shërbimeve inteligjente angleze dhe amerikane. Vlonjati, një trim i çartur, s’pranonte asnjë lloj bashkëpunimi me organet e Sigurimit. Hetuesit sadist, s’lanë torturë pa provuar mbi të, e merrnin me batanije në kokë ditën dhe natën, e mbanin me orë të tëra nën zihunë, por ai kryeneç siç ishte, refuzonte të tregonte bazat dhe njerëzit që e prisnin.
Një ditë si çdoherë, e sollën nga hetuesia dhe e plasën si thes byku në birucë, por ai heshti dhe hiqte thellë. Shokët e vuajtjeve, shpejtuan t’i vinin lë ndihmë, për t’i lehtësuar sadopak dhimbjet, kush i fërkonte damarët e qafës, kush kyçet e duarve, dikush tjetër i ofronte paguren e ujit të lagte buzët e përzhitura. Edhe Bajrami, si më i riu në qeli, që atë çast ishte më pranë, i flet për t’i dhënë kurajë: – “O Lutfi, po mbahu bre burr i dheut! Je edhe lab me taban”!
Çuditërisht si asnjëherë tjetër, ai s’foli, por vazhdonte të memecëronte. Kur u qetësua disi, dikush e thirri në emër dhe i zgjati kutinë e duhanit. Vlonjati nuk e mori, po ajo që i habiti të gjithë, ishte mënyra si u përgjigj: – “Mos më thirrni më në emër! Pa dalë prej këtu, isha Lutfiu, tashti s’jam më”! – dhe ngashërente në heshtje. Të gjithë u platitëm. Na erdhi shumë ligsht, për atë deli djalë, dukej torturat e kishin luajtur fiqirin”! – tregonte Bajrami.
– “Mbahu a derëzi, në këtë drizë po e lemë leshtë të gjithë! Ama, burrit që është burrë, s’i trembet syri kurrë”! – theu heshtjen një golemas, që pa kaluar muajin, do pushkatohej. – “Ruaje veten a derman, se gruaja qan, po burri mban”! – ndërhyri një hokatar lazo, që bashkë me të parin, pas një muaji do pushkatohej edhe ai. – “Më mirë një plumb në kaplloqe, se sa një shqelm në koqe”! – u tall një salariot, që i mbante duart të bashkuara nën ushkurin e potureve, sepse para ca ditësh i kishin shkulur me pinca gjithë thonjtë. Të tre bashkë, ja muarën këngës: “Mora rrugën për Janinë, isha vetëm, eee…! Bashkë me arabaxhinë, epo natën,eee…”, jehona e isos labe, ushtoi kubeve të gurta.
Të tjerët në qelitë pranë e vijuan dhe kënga u përhap tej e tej kështjellës. Po edhe kjo nuk pati efekt, vlonjati vazhdonte sërish ngashërimet dhe s’bëzante. Aty nga mesnata, dëgjova prapë ngashërimat e tij, s’e shpjegoj dot si u ndjeva, kur ai burrë shfrente gjithë vrerin që i ishte mbledhur në gjoks. – “Bajram po fle”?! Ne flinim brinjë më brinjë dhe pëshpërima e mekur e tij më fshiku veshin. – “Jo, nuk më zëka gjumi sot”! – ia ktheva. – “Po ti pse s’fle?! Fli a derëzi, të qetohesh”?
Mirëpo toni që i shpreha këto fjalë, e shtyu më tepër të fliste: – “Për ç’qetësi zeza dhe gjumë-ziun më flet, që fjetsha të madhin”! – shfreu i pizgosur. – “Mbahu Luti”! – i dhashë zemër unë. – “E ç’Lut mavria më thua, o Baro! Gjer dje isha Luti, nashti jam muti! E more vesh apo jo? Jam muti, ore”! – më shfryu gjithë mllef në surrat, si të më hidhte sipër gjithë të pëgërat e globit, sikur të isha unë shkaktari, i gjithë fatkeqësive të tij.
Heshti. Pas pak ia nisi sërish, më butë: – “Më fal, Baro vëllai, se po më pëlcet xhani, s’durokam dot më”! – frymonte me zor, pastaj vazhdoi: – “Dje më morën në hetuesi, si çdo ditë, po s’më torturuan me hu, si gjithmonë! Jo or burr, përkundrazi, s’më dhanë dajak fare! Dy policë trupmëdhenj më zunë, një për këmbësh e një për koke dhe më shtrinë mbi një bankë druri, më kryqëzuan si Krishtin me litarë, duar e këmbë dhe më zhveshën lakuriq, si më kish bërë nëna. Kokën e kisha të lirë, mund ta çoja dhe ta ulja si të doja. Në fund të bankës, kishin fiksuar një shufër çeliku të trashë, afër sa një kalem dhe të gjatë deri pranë tavanit.
Në majë të saj kishin lidhur një tel të hollë, si ato fijet që përdoren për leqe, që zënë dhelpra dhe kunadhe. Hetuesi, një mall me mbiemër Mezini, u qas mbi mua, kapi shufrën dhe e përkuli dhe e ngeci diku në një kllapë në cepin e bankës, fijen e hollë ma lidhën lak, mender, kokën e penisit tim. Kur pashë skenën u tmerrova, por mendoja se e bënë të më frikësonin; s’mund ta besoja se mendja njerëzore mund të pillte nga këto marifete! Hetuesi e lëshoi majën e shufrës nga kllapa, ajo me forcën e një shigjete, del nga foleja e harkut të ndehur deri në zgrip, u ngjit lartë edhe trupi i, i tërhequr me vrrull nga laku i fiksuar në organin tim, u çua peshë si e sustë. O Zot i madh, ç’farë dhimbje! E llahtarshme, therëse, djegëse, përcëlluese! Gjithë pesha e trupin tim të harkuar si gjimnastët, varej në ë fije teli, të lidhur në kokën e penisit.
U ndjeva i përdhunuar! S’e imagjinon dot sa kam ulëritur nga dhimbja e padurueshme, gjaku gurgullonte mbi nën-bark dhe shallët m’u ngjyrosën me të kuqe. Mushkrit sikur m’i kishin mbushur me acid shkatërrues, s’frymoja dot, zemra fërgëllonte si zog i plagosur, dhimbja sikur më gërreu kafkën e, më paralizoi çdo qelizë të trupit. Hetuesi më la pezull disa çaste, pastaj e përkuli shufrën dhe e fiksoi sërish në kllapë. M’u afrua dhe m’u hakërrua mbi hundë: “Eh, po tani, do tregosh kush të priste dhe ku i kishe bazat”? S’më la kohë të përgjigjesha, po e lëshoi. Sakaq, shufra më tërhoqi dhe njëherë lart me vrullin e mëparshëm. Tashmë dhimbja kaloi çdo kufi, u zalisa. Sytë m’u lëbyrën, shihja vetëm kuq. S’di në më kish zënë gjaku apo, m’u err shikimi. Truri u vu në alarm, në një çakërrdi totale dhe ‘u errësua arsyeja.
– “Pushoni pak, se u lodhët”! – dëgjova hetuesin të urdhëronte vartësit, pastaj e përkuli edhe njëherë shufrën dhe e fiksoi në kllapë. – “Ta shohim këtë karafilin e Amerikës, a do kujtohet më për ato kurvicat e zeza të Bruklinit! Me kë donte të tallej, ky biçim”! Më tmerroi mendimi se ai mund ta lëshonte shufrën dhe mandej… dhe pse në gjendje të rënduar, shpejtova të flas: – “Aman, se vdiqa, bëni ç’të doni vetëm liromëni”! – iu luta dhe me vërtetë do bëja ç’të donte ai, mjafton t’i shpëtoja asaj torture të padurueshme. – “Mirë, çlirojani duart”! – iu kthye rojeve. – “Firmos këtu”! – më zgjati një e letër. Zgjata shpejt duart drejt letrës dhe e rrëmbeva, sikur te ajo letër të varej fati im. Dhe vërtetë, atje varej jeta ime. E firmosa pa e lexuar ç’shkruhej. Frika se mos atij i ndërronte mendja dhe e lëshonte edhe njëherë shufrën e çeliktë, më nxiti të shkarravisja ashtu siç isha, në kurriz. Ndërkaq ai urdhëroi policët të më zgjidhnin dhe të më ulnin në një koritë me ujë.
Më shtinë në govatë si çiliminjtë e vegjël. Në fillim, kontakti me ujin më shkaktoi djegie dhe përcëllima të forta, më pas sikur u qetësova. Edhe pse uji ishte skuqur me gjak, s’më bëhej të ngrihesha. Qetësia e atij çasti, sikur më koti për gjumë, u plogështova, m’u kapitën sytë dhe koka m’u var mbi gjoks. Por hetuesi, s’më la të zhytesha në harresë, më kapi nën mjekër, më çoi kokën e m’u ngrefos: – “S’para i ndyj duart me xhinsin tuaj unë, kur kam mashën pse të djeg dorën”! – tundi shufrën në majë të së cilës lëkundej kërcënueshëm, fija e hollë e lakut të torturës.
E mora mesazhin që donte të më përcillte, m’u ngjeth sharra e kurrizit. Kur e pa që s’reagova, ai vazhdoi pa u ngutur: – “S’i thua, ke qejf të nisim që sot apo nesër me nge”? – “Nesër, jam i rraskapitur! – ia preva shkurt, sepse po kthjellohesha, mendoja firmën që hodha dhe gjithë ankth, diku mbi kokën e tij, këqyrja lakun që përdridhej në majën e shufrës. – “S’më prish asnjë punë, atë që desha e mora”! – bëri ai dhe më tundi para syve fijen e kartës që kisha firmosur pak më parë.
Ajo copëz letre që fërgëllonte si krah i këputur future, në duart e hetuesit mizor, m’i futi më thellë dridhmat. S’e dija ç’kisha katranosur me firmën time. Nën efektin e tronditjes psikike, kisha nënshkruar kuturu. Bashkëpunimin apo ndoshta edhe vdekjen time? S’e di! Po fundja, ç’vlerë ka jeta ime, kur mendoj se sa të tjerë do merren më qafë, nga ajo firmë e pavullnetshme! Ndaj të thashë: – Para përdhunimit isha Luti, tani pas nënshkrimit, jam muti”! – ai heshti.
Në gjysmë terr ndjeja frymëmarrjen e tij, fillimisht si gulçim, pastaj më të lehtë dhe në fund sikur u qetësua. E kaploi gjumi, duket shpirtit të tij i nevojitej kjo shfreje dufi, që të lehtësohej. Atë natë e kalova pothuaj pa gjumë, duke sjellë e pështjellë ndër mend, atë që dëgjova nga goja e atij burri të ashpër. Në mëngjes rreth orës shtatë, na nxorën në pajtozin e mëngjesit, siç hej koha e ajrimit dhe për nevojat personale.
Lutfiu flinte, ndoshta torturat e ditës së shkuar e kishin kapitur, kish ojë për qetësi. Iu bëra shenjë shokëve, të mos e zgjonim, se mbase ish më mirë. Kështu bëmë, dolëm pa zhurmë, njëri pas tjetrit. Kur mbarova tualetin personal dhe shpiva këmbët, duke rendur rreth e qark sheshit të kufizuar; mbusha pagurët me ujë dhe i çova në qeli. I lashë në prag të derës dhe renda sërish jashtë, të merrja qypat e shurrës që i kisha larë dhe i kisha ndehur në shullë, t’iu dilte era e qelbur e amoniakut.
Me enët në duar u riktheva në qeli. Brenda heshtje dhe terr. Pulita sytë që s’po më ambientoheshin dot me mugëtirën e mureve të gurta të birucës. Qorrazi iu drejtova vendit ku duhej të flinte Luti, ta zgjoja të vinte në banjo, sepse dita ishte e gjatë dhe pas dymbëdhjetë orësh, vinte radha të dilnim në pajtoz e në nevojtore. Me duar shtrirë, kërkova me tahmin por s’prekja asgjë. Shtrati ishte bosh; “do jetë ngritur dhe ka dalë”, mendova. Atë çast, as më shkonte mendja te e liga.
Pas pak, sytë nisën të mësoheshin me terrin, kur ç’të shoh? Para hundës time, dy këmbë përpëliteshin të tendosura. Mbi kokë më kuluvarej, ish shpërfytyruar, me gjuhën jashtë dhe sytë të zgurdulluar, Luti…! O Zot! E zura poshtë gjunjëve dhe e ngrita hopthi, siç ngremë një ftujë. Laku u ç’tendos, po gjuha ngeli e zgjatur, varur në cep të gojës dhe aq, një gulç gjaku i shpërtheu nga fyti, tashmë i çliruar, me presion. I lebetitur lëshova një klithmë të fortë që kubetë e gurta në barkun e shtjellës, e shumëfishuan dhjetëfish. Jehonën e dëgjuan shokët jashtë që u sulën turravrap. Memorie.al