Në 7 muajt e parë të vitit buxheti i shtetit ka arkëtuar 402,5 miliardë lekë ose 103 % e planit të periudhës. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, rezulton të jenë mbledhur rreth 30.4 miliardë lekë apo 305 milionë euro më shumë se 7 mujori i vitit 2023.
Sipas burimeve zyrtare të ministrisë së financave, të ardhurat tatimore për 7-mujorin 2024 u realizuan në masën 130.3 miliardë lek, 12.9 miliardë lekë shumë se 7-mujori i vitit të kaluar. Krahasuar me planin 7 mujor, të ardhurat e mbledhura janë 4 miliardë lek ose 3.2% më shumë.
Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (neto), u realizua në masën 32.7 miliardë lek, 6.3 miliardë lekë ose 23.7% më shumë se 7-mujori 2023, çka tregon dhe konsumin në rritje kryesisht përgjatë periudhës së sezonit turistik.
Tatimi mbi të ardhurat personale është arkëtuar në vlerën 38.1 miliardë lekë, me rritje 15.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ku ndikim kryesor ka pasur rritja e pagave e cila hyri në fuqi nga muaji Korrik. Po ashtu në rritje kanë ardhur edhe të ardhurat e mbledhura nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, të cilat u rritën me 92 miliardë lek, 9.6 miliardë lek ose 11.6% më shumë se 7-mujori 2023. Në rënie ka rezultuar tatimi mbi fitimin, që u realizuan në masën 36.1 miliardë lek ose 2.5% më pak se 7-mujori 2023. Të ardhurat nga akciza janë realizuar në masën 34.9 miliardë lek, 3 miliardë lekë më shumë, ndërsa të ardhurat nga renta minerare në eksport janë realizuar në vlerën 1.6 miliardë lek, me rënie kundrejt një viti më parë dhe kundrejt planit.
Ndërsa Shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën 7 mujore të vitit 2024, arritën në rreth 347.5 miliardë lekë me një realizim në masën 92.3 përqind të planit të periudhës.