Të gjithë duan stolin e Partizanit. Diçka normale, kur bëhet fjalë për një nga ekipet më të mëdhenj të futbollit shqiptar.
Të kuqtë janë “pjacë” e lartë dhe çdo trajner do të dëshironte të ulej në vendin e lënë bosh nga Orges Shehi dhe që për momentin do të mbahet nga drejtori sportiv, Arbër Abilaliaj. Aty mund të fitojë trofe të rëndësishëm kombëtarë dhe mund të provojë shijen e kompeticioneve ndërkombëtare në verë. Por jo çdokush ka fatin të drejtojë një emër të madh si Partizani.
DYNDJE TRAJNERËSH – Sipas burimeve të “Panorama Sport”, emra pa fund trajnerësh kanë shkuar si propozime direkt apo indirekt në telefonin e presidentit të Partizanit, Gazment Demi. Numri 1 i klubit të kuq është me pushime për momentin dhe nuk kërkon të nxitohet në lidhje me këtë çështje të rëndësishme të skuadrës, edhe pse kampionatin nis pas pak ditësh. Ai, bashkë me stafin e tij, do të shohin çdo trajner të vetofruar dhe çdo propozim të bërë nga menaxherë të ndryshëm, para se të ngushtojnë rrethin dhe të bëjnë zgjedhjen përfundimtare. Kriteret bazë që trajneri i ri duhet të plotësojnë mund të jenë disa. Së pari duhet të jetë një trajner që t’i përgjigjet emrit të Partizanit dhe të jetë në gjendje ta rritë këtë ekip profesionalisht, duke e çuar te trofetë.
DAJA OSE I HUAJ – Gjithmonë duke iu referuar burimeve të gazetës, presidenti Demi mbetet besnik i pistës së huaj. Nga trajnerët shqiptarë, preferenca e vetme e tij duket se është Ilir Daja, trajneri aktual i Ballkanit, për të cilin thuhet se do të marrë drejtimin e Dinamos. Daja ka qenë edhe më parë në krye të Partizanit dhe me sa duket ka lënë përshtypje të mira në sytë e presidentit Demi. Mundësitë më të mëdha janë që Partizani të ketë një trajner të huaj në krye sezonin e ri, ndërsa pistat më të mundshme janë ato italiane dhe kroate. Të kuqtë kanë pasur disa trajnerë italianë gjatë epokës së Demit, si Adolfo Sormani, Andrea Agostineli, Franko Lerda e Mark Iuliano. Ndoshta një tjetër italian mund të marrë drejtimin e Partizanit, por edhe pista kroate është për t’u marrë në konsideratë seriozisht, sidomos pas eksperiencës së Zoran Zekiç në krye të ekipit të kuq.
VLLAZNIA – Për të mësuar emrin e trajnerit të ri ndoshta do të duhen disa ditë. Me shumë gjasa, në ndeshjen e javës së parë të kampionatit me Vllazninë të kuqtë do t’i drejtojë Arbër Abilaliaj, në pritje të zgjidhjes së trajnerit të ri. Edhe nëse ai zgjidhet para ndeshjes me shkodranët, do të ketë shumë pak kohë në dispozicion deri të hënën, kur luhet sfida e javës së parë të kampionatit.