Karriera e Ernest Muçit mund të marrë një tjetër kurs. Fantazisti pritet të shitet nga Beshiktashi pas vetëm 6 muajsh dhe në Turqi thonë se oferta e Aston Vilës për lojtarin e Kombëtares shqiptare është pranuar nga klubi.
Është gazetari i njohur turk, Mehmet Demirkol, i cili konfirmon se diçka të tillë e ka dëgjuar nga një burim serioz. Sipas asaj që kam dëgjuar nga një burim serioz, Ernest Muçi do të shitet nga Beshiktashi. Ekipi anglez flitet se ka ofruar 19 milionë euro për kartonin e 23-vjeçarit, me 15 milionë euro direkt dhe 4 milionë të tjera në formë bonusesh.
Ernest Muçi u ble këtë dimër për 10 milionë euro nga Legia e Varshavës dhe në pjesën më të madhe të ndeshjeve luajti si titullar. Me ardhjen e trajnerit holandez Xhovani Van Bronkorst, shqiptari e humbi fanellën e titullarit. Muçi pëlqehej nga holandezi, por ai preferoi Rafa Silvën, një përforcim që ekipi turk mori nga Benfika dhe kjo u pa në dy ndeshjet zyrtare, me Gallatasarajin në Superkupën e Turqisë dhe Samsunsporin në kampionat, ku ish-lojtari i Tiranës nuk u aktivizua asnjë minutë.
Të dyja ndeshjet janë fituar bindshëm nga Beshiktashi. Duket se trajneri e ka projektuar formacionin ideal për të fituar trofe këtë sezon në Turqi dhe me përforcimet e fundit me Imobile, Silva apo Keles dhe Paulista, Muçi shihet nga Van Bronkorst si zëvendësues. Kështu klubi nuk do të kishte dëshirë që Muçit t’i bjerë vlera dhe nga sa raportohet, ata kanë pranuar ofertën e Aston Vilës e cila konsiston me 15 milionë euro dhe 4 të tjera në formë bonusesh.
Nga kalimi i mundshëm në Premier Ligë, Muçi do të firmosë një kontratë katër vjeçare me Aston Vilën, ku do të përfitojë pagë vjetore 2.5 milionë euro nga skuadra angleze. Gjithashtu, një tjetër bonus do të ishte edhe promovimi në një kompeticion si Liga e Kampioneve, aty ku Aston Vila do të luajë këtë sezon. Kur ishte pjesë e Legias në Poloni, Muçi i shënoi 3 gola në dy ndeshje kundër Aston Vilës, një prej tyre ishte spektakolar.