Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës ka një drejtuese të re. Në krye të SASPAC është emëruar Eridana Çano. Pas arrestimit të Ilir Beqajt për abuzim me fondet e kësaj agjencie, detyrën e drejtueses e mbante Jona Suli. Por kjo e fundit u shkarkua nga kryeministri Edi Rama më 29 korrik, 9 muaj pasi ajo ishte emëruar në krye të SASPAC.

Të nesërmen e shkarkimit, kreu i qeverisë hapi garën për pasuesen, e cila mesa duket është zgjedhur sipas Lapsi-t.

Eridana Çano ka mbajtur postin e drejtoreshës e Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje, ndërsa më herët ka qenë drejtoreshë kabineti e Ministrit të Pushtetit Vendor.

SASPAC u krijua në vitin 2021 si një “agjenci” që do të menaxhonte dhe shpërndante fondet e huaja në Shqipëri. Prej krijimit, SASPAC ka si mision koordinimin e ndihmës së huaj për programet e projektet zhvillimore, monitorimin e zbatimit të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim Evropian 2022-2030, ofrimin e mbështetjes metodologjike në hartimin e strategjive ndërsektoriale dhe sektoriale.