Vijon puna nga Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike në DVP Tiranë, për goditjen dhe dokumentimin e rasteve të përndjekjeve online dhe të çdo krimi kibernetik.
Zbardhen dhe dokumentohen 62 raste të përndjekjeve online, kryer nga një 34-vjeçar, i cili vuan dënimin në një burg të Francës.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike në DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e krimeve kibernetike, pas kallëzimeve të depozituara nga disa shtetase, për raste të përndjekjeve online në rrjete sociale, kanë organizuar punën për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.
Gjatë hetimeve të kryera, janë siguruar prova të mjaftueshme që krijojnë dyshimin se shtetasi Fabian Dodaj, 34 vjeç, i cili aktualisht vuan dënimin në një burg në Francë për veprat penale “Vjedhje me pasoja të rënda” dhe “Komplot kriminal”, parashikuar nga Kodi Penal Francez, ka konsumuar veprat penale “Falsifikimi kompjuterik”,
“Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”, “Perndjekja”, dhe “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, parashikuar nga nenet 86/a, 121, 121/a, 293/b të Kodit Penal.
Pas identifikimit të interceptimeve kompjuterike që pulsonin nga burgu “Lyon Cobras”, në Francë, është bashkëpunuar me Interpol Tirana dhe autoritetet Franceze dhe është ushtruar kontroll në qelinë ku ndodhet shtetasi F. D., dhe gjatë kontrollit është gjetur dhe sekuestruar aparati celular që ky shtetas përdorte për veprimtarinë kriminale.
Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se, 34-vjeçari ndërhynte në profilet e rrjeteve sociale (kryesisht Tik Tok dhe Instagram) të shtetaseve të ndryshme dhe pasi merrte fotografi nga profilet e tyre, i publikonte ato në profile false të krijuara prej tij, duke vendosur përshkrime denigruese. Autori më pas i shantazhonte këto shtetase, duke i kërkuar fotografi dhe video intime në këmbim të fshirjes së materialeve të publikuara prej tij.
Materialet i kaluan Prokurorisë.