Nga Mero Baze
Tani ndoshta shumë vetë e kanë harruar vitin 2017, kur Sali Berisha dhe media e familjes së tij, Syri.net, në bashkëpunim me një politikan italian, sajuan një portal anonim në Itali dhe prodhuan “fake neës” më të madh në historinë e këtyre viteve, i cili tentonte të ngjallte destabilizim në vend.
Lajmi i rremë, që “konfirmohej” nga deputeti italian dhe portali anonim, kundrejt pagesave nga opozita shqiptare, për të cilat ka hetim dhe ndëshkim në Itali, thoshte se në Shqipëri po zbarkojnë 1500 kontenierë me helme nga Italia dhe po varrosen në tunelet e minierave të braktisura të Pukës.
Fushata vazhdoi për gati dy muaj, derisa u konfirmua zyrtarisht nga gjithë shtetet fqinjë që ishte gënjeshtër. Më pas prokuroria italiane hapi hetim dhe provoi që deputeti italian ishte paguar nga opozita shqiptare për atë përfshirje në ngjalle paniku.
Sot Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet për një anije me ngarkesë të dyshuar për lëndë toksike drejt Tajlandës nisur nga Porti i Durresit, e cila duhet të rikthehet në port për t’u hetuar.
Rasti i cili padyshim ngre pikëpyetje për përgjegjësinë e autoriteteve doganore dhe portuale po përdoret për një fushatë të re frikësimi ndaj popullsisë, lidhur me groposjen e lëndëve toksike. Për këtë arsye e është shumë e nevojshme të hetohet me shpejtësi dhe të bëhen publike rezultatet.
Njësoj si në vitin 2017, Sali Berisha po aktivizon skenarin e frikësimit të popullsisë duke rikthyer skenarin e mbushjes së tuneleve të braktisura me lëndë helmuese që po “shkatërrojnë” Shqipërinë.
Fakti që më 2017 drejtësia nuk veproi si në Itali, edhe pse “fake neës” ishte i provueshëm për qëllime destabilizmi, ka krijuar një klimë inkurajimi për të përsëritur skenarë me gogolë.
Një lajm i rremë që synon të ngallë panik dhe që rrezikon paqen sociale, i artikuluar me qëllime politike, në kulmin e një sezoni turistik, nuk është mungesë informacioni, por shpifje me qëllim politik. Meqë nuk ja doli dot me fotot me çadra bosh, pasi tani s’ka as centimetra bosh, po përpiqet të dëmtojë turizmin duke prodhuar lajme ndërkombëtare me mbetje toksike në Shqipëri.
Ndryshe nga Italia ku autorët e lajmit të rreme për Shqipërinë më 2017, u hetuan dhe dënuan, në Shqipëri, për fat të keq as nuk u hap çështje penale.
Tani që skena po përsëritet, bashkë me këtë anijen fantazmë, është mirë të hetohen dhe fantazmat e atyre që shpikin ndotjet toksike në Shqipëri, me shpresë se do frikësojnë turistët perëndimorë te vijnë ne Shqipëri. Ngaqë nuk i trembën dot me fotot e çadrave “bosh”.