Gjatë fundjavës në doganën e Kakavijës ka vazhduar fluksi i lëvizjes në kufirin me Greqinë.
Sipas Policisë Kufitare në Gjirokastër gjatë 24-orëve të fundit shërbimet e SPK Kakavijë kanë përpunuar 10833 shtetas në hyrje – dalje, nga të cilët 5181 në hyrje dhe 5652 në dalje, si dhe 3509 mjete në hyrje – dalje, nga të cilat 1675 në hyrje dhe 1834 në dalje.
Kjo verë ka regjistruar një fluks të konsiderueshëm lëvizjesh në doganat kufitare midis Shqipërisë dhe Greqisë.
Në periudhën 1 qershor-14 gusht në tre Pikat e Kalimit Kufitar në Qarkun e Gjirokastrës (Kakavijë, Tri Urat dhe Sopik) kanë lëvizur në të dyja anët e kufirit me Greqinë 495213 shtetas shqiptarë dhe të huaj dhe 163293 automjete shqiptare dhe të huaja.
Numrin më të madh të personave që kanë lëvizur në kufi gjatë verës e zënë bashkatdhetarët tanë që kthehen për pushime nga Greqia në vendlindje si dhe turistët.
Fluksi i lëvizjes në kufirin me Greqinë pritet të jetë i lartë përgjatë gjithë muajit gusht.